Botë
Asnjë rezultat në Samitin informal të BE-së, ngërç mes Gjermanisë dhe Francës për kreun e KE-së
29.05.2019 13:28
Udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare....

Udhëheqësit e BE-së u takuan në Bruksel pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, por pa asnjë rezultat konkret për kandidaturën e kreut të ri të Komisionit Europian. Samiti informal vuri në pah dallimet e thella mes Francës dhe Gjermanisë për postin kyç të BE-së. Votimet bënë që blloqet kryesore të qendrës të humbasin shumicën, ndërsa “të gjelbrit” dhe nacionalistët të fitonin terren. Tashmë i takon kreut të Këshillit Europian, Donald Tusk, të zhvillojë bisedime me krerët e grupeve europarlamentare për të formuar një shumicë për krijimin e institucioneve të reja.
“Nuk diskutuam për emra, por vetëm për procesin. Liderët nuk do të paraqesin drejtpërdrejt emra kandidatësh, por duhet të theksoj se nga gara nuk përjashtohet askush, sepse të jesh një kandidat kryesues nuk do të thotë të skualifikohesh”,- tha presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Dhe kandidati kryesues që përmendet nga Tusk, është Manfred Veber nga Partia Popullore europiane, e cila edhe pse mori shumicën e vendeve europarlamentare, nuk ka vota të mjaftueshme për të zgjedhur kreun e ri të KE-së. Veber mbështetet fuqishëm nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Presidenti francez, Emanuel Makron, mbështet kandidaturën e liberal demokratëve, Margrete Vestager. Partisë Popullore dhe asaj socialdemokrate i duhet pikërisht mbështetja e liberal-demokratëve për të zgjedhur kreun e ri të Komisionit. Për emra kandidatësh do të flitet në samitin e liderëve në fund të qershorit.
LEUNORA KALIQI
