Rikonstruohet sh. f. ”25 Maji” në Hasanbeg
Nxënësit e shkollës fillore “25 Maji” në lagjen Hasanbeg të Shkupit, tanimë procesin edukativo-arsimor do ta zhvillojnë në kushte më adekuate për mësim....

Kjo shkollë, pas rikonstrumit mori krejtësisht pamje tjetër, falë investimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komunës së Gazi Babës, buxhetit të shkollës dhe ndihmës së prindërve.
“Në këtë shkollë është investuar në dy faza, shuma e përgjithshme është 25 milion denarë, ku është bërë rikonstruimi i përgjithshëm i objektit të shkollës, por edhe i oborrit. Ne kemi ndërtuar edhe tre objekte të reja për nevojat e arsimit fillor dhe të mesëm në Komunën e Shuto Orizares dhe në Komunën e Bogovinës, që shpresoj që muajin tetor do të jenë të lëshuara në përdorim”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
“Shkolla jonë është ndërtuar në vitin 1965, prej atëherë e deri sot ky rikonstruim ishte një ndër investimet më kapitale që u bënë në shkollën tonë. Sot kemi një objekt krejtësisht tjetër, ku i plotëson të gjitha standardet për tu zhvilluar procesi edukativo-arsimor”- theksoi drejtori i shkollës “25 Maji”, Fadil Murtezani.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, potencoi se kushtet në këtë shkollë tani janë përmirësuar tërësisht.
Drejtoria e shkollës i ka ndarë mirënjohje me këtë rast edhe ish-zëvendësministrit të Arsimit, Safet Nezirit, si dhe ministrit dhe zëvendësministrit aktual dhe kreut të Komunës së Gazi Babës. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)