Maqedoni
Sektori privat, korrupsioni - problem serioz për zhvillimin e kompanive
29.05.2019 17:11
66 për qind e kompanive në vend thonë se korrupsioni është një problem serioz që i pengon zhvillimit të kompanive...

66 për qind e kompanive në vend thonë se korrupsioni është një problem serioz që i pengon zhvillimit të kompanive në nivel global dhe pikërisht për shkak të korrupsionit kanë 10 për qind më tepër shpenzime.
“Në Maqedoninë e Veriut, 66 për qind e kompanive kanë raportuar se korrupsioni është një problem për zhvillimin e tyre, që do të thotë se ata e njohin atë si një problem në rritjen e tyre, madje një pjesë e tyre theksojnë se korrupsioni krijon një konkurrencë të pandershme dhe rrit koston e të bërit biznes”,- deklaroi Nikica Kusinikova nga Asociacioni “Konekt”.
Nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit thonë se korrupsioni është një sëmundje serioze që shkatërron institucionet, por problemi më i madh, sipas tyre, është indiferenca dhe ideja se asgjë nuk mund të bëhet në këtë drejtim. E kjo mundësi duhet ndryshuar.
“Nga muaji shkurti deri sot, numri i përgjithshëm i rasteve të hapura në fushën e parandalimit të korrupsionit është 276, nga të cilat 263 janë me kërkesë të qytetarëve, 13 raste me iniciativën e tyre dhe katër raste në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e Denoncuesve. Për 35 raste të zgjidhura, vendimet janë shpallur për opinionin”,- tha anëtarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Katica Nikolova.
Miratimi i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe konfliktit të interesit ka hapur front të ri për luftimin e korrupsionit, por Komisioni Anti-korrupsion është i pamjaftueshëm për ta fituar këtë luftë. Sjellja e Ligjit për Prokurorinë Speciale do të krijonte një mekanizëm afatgjatë në luftën ndaj korrupsionit, thotë ministrja e drejtësisë.
“Në ligjin aktual kemi përfshirë termin integritet, me qëllim që të theksojmë se është një parim që duhet të jetë thelbësor për punën e të gjithëve. Kemi parashikuar që institucionet brenda të krijojnë mekanizma që do të eliminojnë rreziqet e korrupsionit dhe KShPK ta mbështesë atë. Këtu duhet të jetë i përfshirë edhe Prokuroria Publike, por edhe gjykatat, andaj bëjmë përpjekje për të miratuar Ligjin e ri për PSP-në, i cili do të bëjë trupin e përhershëm në sistemin i cili do të ketë kompetenca efektive për të gjithë ata që mbajnë funksione publike”,- theksoi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Nga hulumtimi që është bërë niveli mesatar i transparencës dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve shtetërore në vitin 2018 është vetëm 28, më transparente ka qenë Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore me 52 për qind, ndërsa asnjë të dhënë nuk ka treguar Sh. A Qendra Tregtare e Qytetit.
ZEKIRJA MEXHITI
