Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pret ambasadorin polak, Jacek Multanovski
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pritur sot ambasadorin e ri të Polonisë në Maqedoni, Jacek Multanovski.....

Bashkëbiseduesit kanë folur rreth zhvillimeve politike në vend, integrimit euroatlantik të Maqedonisë, zgjidhjen e çështjes së emrit etj.
Ahmeti uroi ambasadorin, Jacek Multanovski, për emërimin e kryeministrit polak, Donald Tysk, për kryetar të Këshillit të Evropës dhe shprehu bindjen që fryma e re në Bruksel do të intensifikojë vëmendjen politike të BE-së ndaj Maqedonisë dhe rajonit. Ambasadori polak, theksoi mbështetjen e vendit të tij për integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe inkurajoi tejkalim të çështjeve bilaterale që po pengojnë integrimin e vendit në NATO dhe BE.
Ahmeti vlerësoi që Maqedonia ka marrë ftesën për t'u bërë pjesë e NATO-s që në vitin 2008, por për ta përmbyllur këtë çështje nevojitet zgjidhje e shpejtë e çështjes së emrit. Suksesi i këtij procesi do të ndikojë dukshëm në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike, paqes së qëndrueshme, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe zhvillimit ekonomik.
Ahmeti dhe ambasadori polak biseduan edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe për reformat që nevojiten për përputhshmëri me standardet evropiane.
