Maqedoni

Zhbogar ia dorëzon raportin kreut shtetëror. Zhbogar: Demonstruat dëshirën për të ecur përpara. Pendarovski: KE të valorizojë përpjekjet

29.05.2019 17:40

Euroambasadori, Samuel Zhbogar, ua dorëzoi Raportin e Progresit presidentit të Republikës, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe kreut të gjykatës së lartë...

Për herë të parë, të gjithë ishin mbledhur në presidencë për të demonstruar unanimitet rreth procesit eurointegrues.
 
Raporti pozitiv me rekomandim për çeljen e bisedimeve veçon si arritjet më të mëdha marrëveshjen dypalëshe me Greqinë dhe atë me Bullgarinë. Nota pozitive edhe për zbatimin e reformave.    
 
“Vendi vazhdoi me ndryshimet fondamentale në një atmosferë politike inkluzive dhe të hapur. Dëshira për të ecur përpara u demonstrua në vazhdimësi nga qeveria dhe gradualisht nga opozita. Qeveria mori hapa për të përforcuar demokracinë dhe shtetin ligjor. Kultura e kompromisit në fushëveprimin politik u dëshmua me përpjekjet e qeverisë për të përfshirë edhe opozitën dhe shoqërinë civile në një mënyrë inkuluzive”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
 
Morëm rekomandim të pastër për të filluar bisedimet, pa asnjë kusht shtesë,  konfirmoi presidenti i Republikës, Stevo Pendarovski.
 
Nuk dëshiron që vendi të bëhet koleksioner i rekomandimeve pozitive, prandaj ftoi të gjitha partitë politike që të angazhohen në plotësimin e detyrimeve në interes të qytetarëve dhe avancimit në rrugën evropiane.
 
“Si president pres që Këshilli Evropian të valorizojë përpjekjet e vendit dhe në harmoni me rekomandimin e KE-së, në qershor të marrë vendim për fillimin e bisedimeve qasëse për anëtarësim”,- tha presidenti i RM-së, Stevo Pendarovski.
 
Komisioni ka vlerësuar pozitivisht edhe punën e Kuvendit republikan. Parlamenti ka përmirësuar rolin e tij si forum për dialog politik konstruktiv, konsideron KE. Në përgjithësi, vendi ka shënuar progres të mirë në katër fushat e shënuara në konkluzat e Këshillit Evropian të një viti më parë.
 
“Si Parlament, si përfaqësues i qytetarëve të RMV-së, kemi përmbushur pritshmëritë që të realizojmë atë që është ëndërr e çdonjëri prej nesh me shpresën që ky raport do të rrumbullakohet me aktin e vendimit përfundimtar të Këshillit të Unionit Evropian për përcaktim të datës për fillim të negociatave paraaderuese në BE”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
“Sot pranuam raportin më pozitiv deri tani, që kur jemi vend kandidat për anëtarësim, përkatësisht 14 vjet, me rekomandim të pastër të KE-së për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Prandaj, meritojmë të gëzohemi dhe të urojmë njëri-tjetrin”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Edhe shoqëria civile po luan rol konstruktiv në proceset demokratike, ndërkaq në lirinë e mediave edhe pse ndjehet klimë e relaksuar, vendi duhet të bëjë përpjekje të qëndrueshme për të garantuar pavarësi dhe standarde profesionale në servisin publik, si dhe qëndrueshmëri financiare.
 
Në përgjithësi, vendi ka shënuar progres të mirë në katër fushat e shënuara në konkluzat e Këshillit Evropian të një viti më parë. Gjyqësia shënoi progres në procesin e reformave urgjente, tani u mbetet gjykatësve që të angazhohen për të rikthyer besimin e opinion në gjykata.
 
PPS konfirmoi rolin e saj kryesues në hetimin dhe prokurimin e korrupsionit në nivel të lartë. Brukseli inkurajon partitë politike që të arrijnë marrëveshje për pr/Ligjin për Prokurorinë Publike, i cili duhet të sanksionojë edhe specialen.
 
Nota pozitive edhe për reformat në shërbimet inteligjente, reformat në administratë dhe mbrojtjen e të drejtave fondamentale.
 
Marrëdhëniet ndëretnike janë të qeta, pavarësisht tensioneve lokale, ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve që kontribuon në kompletimin e zbatimit të MO-së ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019. 
 
Megjithatë, vendimin përfundimtar nëse Maqedonia do të marrë datën për fillimin e negociatave do ta marrin përfaqësuesit e 28 vendeve anëtare në Samitin e 18 qershorit.
 
SHPËTIM NUREDINI