Botë
Mitrovicë, serbët në protesta, akuzojnë perëndimin. Mogerini: Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut
29.05.2019 18:57
Serbët e komunave në veri të Kosovës kanë protestuar në shenjë revolte ndaj aksionit të Policisë së Kosovës në veri...

Serbët e komunave në veri të Kosovës kanë protestuar në shenjë revolte ndaj aksionit të Policisë së Kosovës në veri, që përfundoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe doganorë të dyshuar për kontrabandë dhe vepra të tjera penale.
Sipas zyrtarëve të Listës Serbe, aksioni ka si qëllim frikësimin e serbëve.
“Mos bini pre e provokimeve të gatuara në kuzhinat e perëndimit. Ata po na kërkojnë neve të negociojmë me ata që po na uzurpojnë e thyejnë. Nëse ata dëshirojnë të mbrojnë veten nga krimi, le të fillojnë së pari nga oborri i tyre”,- theksoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Nga BE paralajmërojnë rrezikun e kthimit të forcave të errëta të së kaluarës dhe të konfrontimit. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, apelon që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.
“Ajo që ndodhi dje është përkujtues se të gjithë ne jemi për marrëveshje obliguese, pasi i tërë rajoni përfiton. Është e vërtetë, fola për bashkëpunimin në rajon. E dimë dhe pajtohemi që tendencat e së kaluarës për konfrontim, ose për retorika që nuk janë bashkëpunuese, mund të dalin në çdo moment. Dhe, për këtë arsye them se jemi në një udhëkryq”,- theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.
Pas reagimit të ashpër nga Beogradi, KFOR ka sqaruar se autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për aksionin e policisë së Kosovës në veri.
Por, presidenti Vuçiq, i cili madje i pari paralajmëroi skenare për arrestime në veri që para zgjedhjeve, tashmë në të tjera deklarata thotë se nuk ka ditur asgjë për këtë aksion.
GYLTENE SINANI
