Maqedoni

Zyberi: Pas rekomandimit të pakushtëzuar, të caktohet data e hapjes së negociatave

30.05.2019 16:10

Marrja e rekomandimit pa kushte për hapjen e negociatave me BE-në flet për plotësimin e kritereve dhe reformave nga ana e Maqedonisë së Veriut...

Marrja e rekomandimit pa kushte për hapjen e negociatave me BE-në flet për plotësimin e kritereve dhe reformave nga ana e Maqedonisë së Veriut të cilat i kërkon Bashkimi Evropian, vlerëson analisti politik, Naser Zyberi.
 
Po ashtu edhe deklaratat e përfaqësuesve të BE-së, Hahn dhe Mogherini, pohojnë vullnetin e BE-së për t’i dhënë datë vendit tonë për hapjen e negociatave, thotë Zyberi. 
 
“KE kësaj radhe këmbëngul, insiston që rekomandimi për fillimin e negociatave të jetë i pakushtëzuar dhe të caktohet data e hapjes së negociatave. Kjo shihet edhe nga deklarata e Hanit dhe Mogerinit. Kuptohet që vendimin definitiv do ta marrë Këshilli dhe atje ende nuk ka qëndrim definitiv dhe unanim. Shpresoj se ky insistim i Komisionit Evropian do të respektohet edhe nga Këshilli i BE-së dhe Maqedonia dhe Shqipëria të marrin datë për fillimin e negociatave”,- tha analisti politik, Naser Zyberi.
 
Por, ky rekomandim i KE-së për hapjen e bisedimeve mund të ndeshet me vullnetin e shteteve anëtare të BE-së kur dihet qëndrimi i euroskepticistëve për zgjerim të disa shteteve, analizon Zyberi.
 
Për këtë situatë, Zyberi mendon se çështja mund të merret në duart e kryeministrave të vendeve anëtare të BE-së, duke thirrur një samit tjetër vendimmarrës për Maqedoninë e Veriut. 
 
“Në qoftë se nuk arrihet eventualisht që në samitin e 18 qershorit të arrihet konsensus, supozoj se mund të vijë që në samitin e 17 korrikut të thirret samit i kryetarëve dhe kryeministrave të vendeve të BE-së dhe atje të merret vendimi definitiv”,- u shpreh analisti politik, Naser Zyberi.
 
Secili prolongim eventual i mosmarrjes së datës për bisedime do t’i dekurajonte forcat progresive në Ballkan, e sidomos në Maqedoninë e Veriut, thotë Zyberi, sepse, sipas tij, vendi ynë shënoi sukses historik me mbylljen e kontesteve të hapura me fqinjët dhe një mosshpërblim nga BE në kohën e duhur do të nxiste situatë të re politike në vend.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU