Maqedoni
Gjykata e Apelit: Refuzohet padija e Ahmetit dhe Xhaferit për Bogoevskin. ASh: të ndriçohet rasti “Maxhar Telekom”
30.05.2019 19:28
Gjykata e Apelit për së dyti herë i ka refuzuar paditë e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe zyrtarit të kësaj partie, Musa Xhafer...

Gjykata e Apelit për së dyti herë i ka refuzuar paditë e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe zyrtarit të kësaj partie, Musa Xhaferi, për shpifje kundër ish-spiunit, Sllobodan Bogoevski, i cili para Gjykatës amerikane ka dëshmuar se ata janë dy nga tre funksionarët e lartë të cilët kanë marrë mito nga dy milionë e gjysmë euro për secilin nga ata, për t’u vonuar sjellja e kompanisë së tretë e celularëve në tregun maqedonas.
Në aktvendimin që u publikua sot nga Gjykata e Apelit, thuhet se paditësit, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, nuk kanë të drejtë të kërkojnë shpërblime materiale.
Ky këshill i gjykatësve anonim, të cilët kanë refuzuar t’i tregojnë emrat e tyre, kanë vendosur për së dyti herë edhe atë pas ankesës së Bogoevskit.
Bogoevski, i cili ishte dëshmitar kyç në procesin e gjykatës së Nju Jorkut, nga fillimi ka theksuar se padia e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit kundrejt tij për shpifje është e pabazë, sepse të akuzuarit kanë pranuar fajësinë se kanë paguar politikanë nga Maqedonia dhe të njëjtët janë gjobitur me gjobë materiale.
PSP ka hapur procedurë parahetimore për Ahmetin, Buçkovskin dhe Xhaferin dhe epilogu pritet pas zgjidhjes së statusit të PSP-së.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët ka kërkuar që rasti “Maxhar Telekom” të ndriçohet plotësisht.
“Vendimi i sotëm i Këshillit të Apelit, është një dëshmi e re se Bogoevski nuk paska shpifur dhe akuzat ndaj Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit janë të vërteta? Ky skandal i pazbardhur paraqet dyshime për nivel më të lartë të korrupsionit, andaj si i tillë duhet të zbardhet sa më parë me një epilog të drejtë dhe të pavarur gjyqësor, aq më tepër kur është pjesë edhe e hetimit të Gjykatës së Nju Jorkut, të SHBA-ve”,- thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
