MENDUH THAÇI

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, takon ambasadorin e Polonisë, Jacek Multanovski

03.09.2014 19:03

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, realizoi takim me ambasadorin e Polonisë në vend, Jacek Multanovski, i shoqëruar nga Marta Pzhenioslo, përgjegjëse për çështjet politike, ekonomike dhe konsullore pranë Ambasadës së Republikës së Polonisë në Shkup..

Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale politike në vend, incidentin në Parlament, zhbllokimin e procesit integrues të vendit, marrëdhëniet ndëretnike dhe tema të tjera me interes të dyanshëm.  

Fillimisht, Thaçi uroi ambasadorin për zgjedhjen e kryeministrit polak, Donald Tusk, për president të ri të Këshillit Evropian, që pasqyron gjendjen e Polonisë në Evropë, si një model i suksesit ekonomik. Thaçi informoi ambasadorin për presionet mbi opozitën shqiptare për ta heshtur atë dhe për të miratuar vendime në dëm të popullatës shqiptare.  Ndër të tjerat, në takim Thaçi nënvizoi rëndësinë e rrugës drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe rëndësinë e gjetjes së zgjidhjes për çështjen e emrit me Greqinë. Kjo duhet të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur, për shkak se integrimi i vendit në strukturat euro-atlantike  siguron stabilitet, paqe, siguri, marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillim ekonomik të vendit.

Kryetari i PDSH-së, Thaçi, në ditët në vijim do të vazhdojë takimet dhe konsultat me përfaqësuesit diplomatik të akredituar në vend.