Maqedoni

Bisedat e përgjuara, “El Çeka” publikon “bomba” të ish pushtetit

31.05.2019 16:03

28-vjeçari me nofkën “El Çeka”, tanimë disa ditë vazhdon me publikimin e bisedave të përgjuara nëpër rrjetet sociale...

Biseda e fundit e publikuar, sipas tij, është midis ish funksionarëve të pushtetit të kaluar.
 
“El Çeka” në një video xhirim për një media shqiptare ka thënë se “bombat” i ka marrë nga tre të dënuar të “Lagjes së Trimave”.
 
Ata janë dakorduar që “El Çeka” t’i publikojë të gjitha bisedat që ka.
 
“El Çeka” thotë se ka pritur katër vite të ketë drejtësi për rastin e Kumanovës, me ndihmën e ndërkombëtarëve, por kjo nuk ka ndodhur. Andaj ai deklaron se do t’i publikojë gjitha incizimet që, sipas tij, janë rreth 6 mijë në numër.
 
Nga Prokuroria Publike thonë se janë duke hetuar se kush është publikuesi i “bombave” dhe a ka kryer vepër penale.
 
“Është dhënë urdhër për kryerjen e hetimeve dhe sigurimin e të dhënave relevante që kanë të bëjnë me incizimet e publikuara. Në bazë të bisedave, MPB, si organ kompetent ndërmerr aktivitete për vërtetimin e ekzistimit të veprës penale dhe grumbullimin e të dhënave për kryerësin e veprës penale”,- thonë nga Prokuroria Publike.
 
“Bombat” e reja është duke i analizuar edhe Prokuroria Speciale, nga ku pritet edhe të prononcohen se a bëhet fjalë për biseda të cilat i posedojnë ose bëhet fjalë për të reja. Nga BDI thonë se bëhet fjalë për biseda private.
 
“Nuk do të kisha komentuar diçka që është rreptësisht edhe me ligj, andaj do të doja të ftoja edhe mediat, pasi që ato edhe nuk lejohen të publikohen. Sa i përket “bombave” unë i kam dëgjuar disa prej tyre dhe janë biseda private, sikurse unë do të komunikoja privatisht me cilindo prej jush ose dikë tjetër”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Ditë më parë, MPB u prononcua se ka zbuluar se kush fshihet pas profilit të “El Çekës”.
 
Bëhet fjalë për personin me iniciale Sh. A. nga Kërçova, por që jeton në Amerikë.
 
Edhe pse MPB kishte kërkuar nga facebook të bllokojë profilin e tij, megjithatë edhe sot i njëjti ishte aktiv.
 
MERAL ISMAILI