Maqedoni
NP “Higjiena Komunale” dhe komuna e Çairit: Qytetarët të kujdesen për higjienën
31.05.2019 16:19
Ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” në bashkëpunim me komunën e Çairit organizuan aktivitet në Shkollën Fillore “Vasill Gllavinov”...

Ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” në bashkëpunim me komunën e Çairit organizuan aktivitet në Shkollën Fillore “Vasill Gllavinov”, që të ngrit vetëdijen e nxënësve për të pasur kujdes se ku i hedhin mbetjet shtëpiake.
Drejtori i “Higjienës Komunale”, Abdulsamed Shabani, apeloji deri tek qytetarët të kujdesen për higjienën, sidomos te pikat e zeza të jenë më të kujdesshëm në mënyrën se si bëhet trajtimi dhe hedhja e mbetjeve shtëpiake.
“Apeli do të vazhdojë edhe ditëve në vijim. Sot kemi më tepër karakterin edukativ, do të hymë edhe në ato rrugë, që aksioni të përfundojë deri në orët e mbrëmjes. Duam që këto lagje që sot do t’i pastrojmë, të mbesin edhe për disa ditë të pastra dhe mirëmbajtja nuk është obligim vetëm i yni si ndërmarrje, por edhe i qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë”,- tha drejtori i NP “Higjiena Komunale”, Abdulsamed Shabani.
Nga buxheti i komunës se Çairit janë ndarë mjete për organizata joqeveritare, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve.
“Vazhdimisht po punojmë për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, që në këtë kontekst të jenë pak më të kujdesshëm. Në buxhet kemi ndarë mjete edhe për organizatat joqeveritare, ku me fillimin e vitit shkollor, me projektet e tyre, do të hynë nëpër shkolla, për t’i edukuar nxënësit që mbeturinat të hedhen aty ku duhet”.,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ekipet e NP “Higjiena komunale” realizuan edhe aksion të përgjithshëm për pastrimin e komunës së Çairit, gjatë të cilit u bë fshirje dhe larje manuale dhe mekanike e bulevardeve dhe rrugëve. Gjithashtu u hoqën 50 metër kub mbetje nga deponitë e egra, ndërsa u bë edhe pastrimi i institucioneve fetare.
REJHANE BUSHI-METAJ
