Maqedoni
Rikonstruimi i Qeverisë, Shekerinska: Do të ndodh deri më 10 qershor. LSDM paralajmëron figura të reja, VMRO: LSDM dhe Zoran Zaev duhet të ikin
31.05.2019 17:48
Bisedimet mes partnerëve të koalicionit për rikonstruimin e Qeverisë po finalizohen...

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska, njoftoi se partnerët e koalicionit janë dakorduar që ndryshimet të ndodhin në pjesën e parë të qershorit që Qeveria të presë datën për fillimin e negociatave dhe të vazhdojë reformat me kapacitet të plotë.
“Në dhjetë ditët e para të qershorit presim që të përfundojnë edhe bisedimet me partnerët e koalicionit, por edhe konsultimet me kandidatët që do të caktohen në funksione. Konsideronim se deri në shpalljen e Raportit, fokusi duhej të ishte atje. U dëshmua se kishim të drejtë. Raporti i KE-së dëshmon se ky shtet bëri, jo një seri reformash, por çudira në planin vendor dhe rajonal. Që kjo të vazhdojë dhe në bisedime të futemi me kapacitete të plota, duhet t’i kryejmë edhe detyrat brenda. Kjo do të thotë se na duhet Qeveri me mandat të plotë që nuk do të mendojë për kuadro dhe me kuadër të plotë”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmila Shekerinska.
Kabineti qeveritar për momentin ka dy vende vakante, atë të ministrit për kulturë dhe pozitën e ministrit të bujqësisë. Asaf Ademi dha dorëheqje të parevokueshme për arsye shëndetësore, ndërkaq ish ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski, u emërua sekretar i përgjithshëm i LSDM-së. Zëdhënësi i LSDM-së, Konstadin Kostadinov, paralajmëroi figurat e reja në ekzekutiv.
“Ky është një proces serioz që po e udhëheqim me shumë kujdes. Thelbi është se do të ketë ndryshime në ekzekutiv dhe gjithsesi se do të ketë fytyra të reja. Pikërisht ky është ndryshimi”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
Mirëpo VMRO-DPMNE konsideron se ndryshimet në kuadër të procesit “fshesa” nuk mjaftojnë. Opozita kërkon rrëzimin e qeverisë.
“LSDM dhe Zoran Zaev duhet të ikin. “Fshesa” duhet të fshijë gjithë qeverinë. LSDM njihet për atë se nuk ka kuadër të duhur në pozita të duhura. Me paralajmërimet e fundit për ndryshime edhe në sektorin e bujqësisë ne si VMRO-DPMNE nuk presim se do të vijë personalitet që do të bëjë diçka të mirë për bujqësinë”,- tha anëtari i KE-së të VMRO-DPMNE-së, Cvetan Tripunovski.
Në ndërkohë, LSDM ka shpallur edhe thirrjen publike për vetëkandidim për kryetarë degësh nëpër komuna.
SHPËTIM NUREDINI
