Maqedoni

Buzaku kërkon mbrojtje nga institucionet

31.05.2019 19:04

Skender Buzaku kërkon nga institucionet shtetërore mbrojtje, pasi që ndjehet i kërcënuar nga ana e kreut të BFI-së, Sulejman Rexhepi...

Ai pas dëshmisë së tij në Prokurorinë Publike Themelore tha se me vetë faktin se Rexhepi e ka shpallur atë si të pafe, me këtë ka vënë në rrezik të madh jetën e Buzakut dhe të familjes së tij.  
 
“Personi në fjalë duke marrë rolin e myftiut pa të drejtë, duke marrë rolin e prokurorit, duke marrë rolin e gjykatësit si dhe xhelatit, më shpalli mua vendim me vdekje, duke i anashkaluar të gjitha institucionet dhe më solli mua në atë pozitë që mos të ndjehem i sigurt në asnjë hap të jetës sime. Duke pasur parasysh se personi në fjalë, ish - reisi Sulejman Rexhepi vazhdon të përdorë gjuhën e urrejtjes ftojmë institucionet shtetërore kompetente dhe besojmë në institucionet, për atë edhe i përgjigjemi ftesës sot këtu që kundër këtij personi të merren masa të duhura”,- tha Skender Buzaku.
 
Njëherit, Buzaku mohoi akuzat për falsifikim të dokumenteve. Sipas tij, të gjithë anëtarët e Rijasetit kanë votuar njëzëri për të, por pastaj janë kërcënuar dhe frikuar nga ana e Sulejman Rexhepit.
 
Ndërkohë, edhe për kundër përpjekjeve tona që të marrim përgjigje nga BFI, kjo e fundit deri në këto momente sapo raportojmë nuk u prononcua.
 
ERSAN PAJAZITI