Botë

Arrestimet në Kosovë, ShBA: Përshëndesim aksionin e policisë. Haradinaj. Shtetasi rus, person “Non Grata”. Lavrov: OKB të mbrojë shtetasin rus

31.05.2019 19:23

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshëndetur aksionin e fundit të Policisë së Kosovës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshëndetur aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, ku u arrestuan 19 zyrtarë policorë të etnive të ndryshme, të cilët dyshohen për kontrabandë dhe vepra të tjera të ngjashme.
 
Zyrtari i Misionit të ShBA-së në OSBE, Lande Bahl, ka thënë se një aksion i tillë i cili nuk kishte cak vetëm veriun e Kosovës, është një përpjekje e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar sundimin e ligjit.
 
Sa i përket ndalimit të zyrtarit rus, Mikhail Krasnoshchenkov, sipas Bahl, ShBA-të janë në dijeni për ndalimin e tij, duke potencuar se autoritetet kosovare janë në hetim e sipër të rastit.
 
Në reagim më tej thuhet se Prishtina dhe Beogradi duhet të shmangin çfarëdo veprimi që do të mund të dërgonte në një eskalim të mëtejmë të situatës. Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim shtetasin rus Mikhail Krasnoshçenkov si person “Non Grata”. 
 
"Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Kosovës. I bëj thirrje përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin. Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit",- thekson Haradinaj. 
 
Por, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Kombet e Bashkuara duhet t’iu përgjigjen përpjekjeve të Prishtinës për t’ia hequr imunitetin e diplomatit rus.
 
“Sjellja absolutisht e papranueshme ndaj një anëtari rus të misionit të OKB-së në Kosovë nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë. Përpjekjet e tyre që t’ia heqin anëtarit tonë fuqitë dhe statusin e tij, të cilat punonjësit e misionit të OKB-së është një çështje shumë serioze dhe OKB duhet t’i përgjigjet asaj”,- vlerëson Lavrov.
 
Mikhail Krasnoshçekov u arrestua të martën gjatë aksionit policor në veri, pasi bllokoi rrugën me veturën e UNMIK-ut, duke penguar policinë të kryenin punën e tyre.
 
Ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar dje edhe për arrestimin e dy zyrtarëve policorë, njërin në pikën kufitare Jarinjë dhe tjetrin në Mitrovicën jugore.
 
Siç njofton Inspektorati Policor i Kosovës, arrestimet janë vazhdimësi e operacionit të emërtuar “Kontrabanda”, që u zhvillua më 28 maj.
 
GYLTENE SINANI