Maqedoni

Arsim, filloi matura shtetërore

01.06.2019 12:23

Prej sot filluan provimet e maturës shtetërore....

Testi i gjuhëve të huaja që ka filluar prej orës 10 është i pari prej tre provimeve të maturës shtetërore për vitin shkollor 2018/2019. 
 
Për provimin e maturës këtë vit janë paraqitur gjithsej 15 553 nxënës, prej të cilëve 7 692 janë nga arsimi i gjimnazit, 7 604 nga arsimi i mesëm profesional dhe 257 nga shkolla e mesme e artit. Sipas të dhënave të Qendrës shtetërore të provimeve, për provimin e sotëm të gjuhës së huaj janë paraqitur: 14 413 për gjuhën angleze, 59 për gjuhën franceze, 201 kandidatë për gjuhën gjermane dhe 15 për gjuhën ruse.
 
Të shtunën e javës së ardhshme do të mbahet provimi në gjuhën amtare maqedonase, shqiptare ose turke dhe literaturë, për çka gjithsej janë paraqitur 15 279 maturantë. Provimit të gjuhës maqedonase do ti nënshtrohen 10 386 maturantë, atë shqipe 4 566 dhe turke 327. Më 11 qershor është provimi i tretë.
 
Risi këtë vit është se në mesin e lëndëve për herë të parë mund të zgjedhet edhe sociologjia, për të cilin janë paraqitur 569 kandidatë.  Më 13 qershor është testi i matematikës për çka janë paraqitur 2 409 kandidatë.
 
Në bazë të afatit ligjor, sipas të cilit rezultatet e para duhet të publikohen më së voni një muaj pas mbajtjes së provimit të fundit, ata priten deri më 13 korrik të vitit 2019. Kandidatët që nuk do ta kalojnë maturën shtetërore ose jo në tërësi, do të mundet që përsëri të hynë në sesionin e gushtit, më 12, 13, 14 dhe 15 gusht kur provimet janë në orar të njëjtë si edhe në qershor.
 
Projekti matura shtetërore në vend organizohet nga viti 2007 dhe është kusht për regjistrim në fakultet. Maturantët që nuk planifikojnë arsim të lartë, japin maturë shkollore.