Botë

Rama me letrën e shtatë u drejtohet demokratëve

01.06.2019 19:25

Në ditën e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale në Shqipëri, kryemisnitri shqiptar Edi Rama....

Në ditën e nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale në Shqipëri, kryemisnitri shqiptar Edi Rama, ka publikuar edhe letrën e shtatë, të cilën kësaj rradhe nuk ia drejton kreut demokrat Lulzim Basha, por përkrahësve të opozitës. 
 
Sot Partia Socialiste nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa partia të cilës ju i përkisni si anëtarë apo që e keni votuar, si mbështetës ose simpatizantë, nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Fatkeqësisht, jo vetëm për ju po edhe për vendin, udhëheqja juaj politike ka hyrë në rrugën pa krye të frikës nga zgjedhjet, të panikut nga drejtësia dhe të kërcënimeve e të orvajtjeve të dëshpëruara, në dëm të Shqipërisë e të çdo shqiptari të interesuar për paqe sociale, zhvillim ekonomik, integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian. Braktisja pa kthim e parlamentit, nxitja e dhunës, bojkotimi i zgjedhjeve, janë në thelb arratisje nga misioni, funksioni dhe korniza e vlerave të një partie demokratike. Jam sinqerisht i keqardhur për këtë, shprehet Rama.
 
Anketimet e pavarura të bëra nga miqtë tanë ndërkombëtarë, thonë se shumica e demokratëve nuk mbështesin as djegien e mandateve, as dhunën e ushtruar në protesta dhe as bojkotin e zgjedhjeve nga ana e udhëheqjes suaj, thotë Rama, sipas të cilit zgjedhjet e 30 qershorit edhe pa opozitën janë demokratike. Kryeministri jep argumentet e tija edhe përse nuk shtyhen zgjedhjet lokale. Sipas tij çdo zgjidhje anormale në emër të normalitetit demokratik sot, kthehet në bumerang që prodhon anormalitet antidemokratik, për vite me radhë nesër. Kryeminsitri Rama në letër poashtu sqaroi se ata që do të tentojnë te pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit, përveç që do të ndëshkohen rëndë nga Kodi Penal i Shqipërisë, nuk do ta kenë të mundur të shkelin në SHBA dhe BE.