Botë
Greqi, disfatë për SYRIZA-n e Tsiprasit, Demokracia e Re fiton zgjedhjet rajonale
03.06.2019 10:02
Opozita greke ka arritur të marrë shumicën e qyteteve më të mëdha të vendit në garën për rajonet dhe baskitë....

Kryeministri, Aleksis Tsipras, e pranoi humbjen dhe deklaroi se po përgatitet për betejën elektorale të 7 korrikut. Rivali i tij konservator është zotuar të zhvillojë një fushatë të civilizuar dhe ka shprehur bindjen se do të jetë kryeministri i ardhshëm. Të djathtët në Greqi triumfuan në shumicën e rajoneve të vendit në raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, që u mbajtën të dielën.
Konservatori Micotakis deklaroi pas publikimit të rezultateve se harta e Greqisë është ngjyrosur e tëra blu. Ai tha se deri në zgjedhjet e parakohshme të muajit të ardhshëm, do të ndjekë një fushatë elektorale të moderuar dhe qytetare. Zgjedhjet e reja parlamentare vijnë tre muaj përpara afatit formal, pasi qeveria e majtë e Tsipras vijon të humbasë mbështetjen në elektorat, veçanërisht të klasës së mesme, pavarësisht uljeve të taksave dhe rritjes së pensioneve që prezantoi një muaj më parë. Sondazhet tregojnë se opozita pritet të ruajë epërsinë aktuale me gati 9 për qind edhe në zgjedhjet e afërta.
