Maqedoni

Mesazhi i BFI-së për Fitër Bajramin, Rexhepi: Të ndihmojmë ata që kanë më pak se ne

03.06.2019 13:06

Në mesazhin e tij në prag të Fitër Bajramit, kreu i Bashkësisë Islame, Sulejman Rexhepi....

Në mesazhin e tij në prag të Fitër Bajramit, kreu i Bashkësisë Islame, Sulejman Rexhepi, edhe një herë rikujtoi besimtarët se Zoti kërkoi nga të gjithë të dëshmojnë se e kanë kuptuar se lidhja e tyre me perëndinë kalon përmes agjërimit dhe përmes ndihmës ndaj atyre që kanë më pak fat se të tjerët në jetë. Por, kjo ndihmë nuk duhet të jepet vetëm gjatë muajit të Ramazanit, por gjatë gjithë vitit, përkujtoi Rexhepi.
 
“A nuk ka kënaqësi më të madhe se sa t’i japësh vetes atë që na mëson Kurani i Shenjtë, që na mëson Sunneti i Pejgamberit të ndritur, Muhamedit (a. s.) përmes ibadeteve të bëra gjatë këtyre ditëve të Ramazanit të bekuar: të kujdesemi për familjen, të kontribuojmë në zhvillimin e shoqërisë, të jemi faktorë të vetë ekzistencës në këtë botë dhe në botën tjetër, sepse në të kundërtën dëshmia do të mungonte. Të gjitha këto kërkojnë sprovime, përkushtim, flijim dhe sinqeritet shpirtëror, larg të këqijave me të cilat na ngacmon shejtani, larg mynafikut dhe punëve të pista që mund të bëjë një krijesë dykëmbëshe larg Allahut (xh. sh.) dhe pejgamberëve të Tij.  Bajrami i Ramazanit është dita kur ne i drejtojmë falënderimet tona Krijuesit Mëshirëplotë për mundësinë që na e dha për pastrimin tonë fizik e shpirtëror, për të arsyetuar dëshminë e jetës dhe të vdekjes sonë dhe për të treguar se në këto dimensione jemi gjithnjë pranë Zotit të Madhërishëm, jemi pranë të varfërve, të sëmurëve, jemi pranë fëmijëve pa prind - jetimëve dhe të atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Islame të RMV-së, Sulejman Rexhepi.