Maqedoni

Stoltenberg: NATO gati për RMV-në, vazhdoni reformat

03.06.2019 15:47

Pakti Veri-Atlantik është i gatshëm dhe mirëpret Maqedoninë e Veriut në familjen e NATO-s....

Maqedonia e Veriut tanimë e ka karrigen e vet në Aleancë, u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në pres konferencë me kryeministrin Zaev. Stoltenberg përshëndeti proceset politike dhe reformat që ka arritur vendi, por rekomandoi të vazhdohet me reformat në shërbimet e sigurisë dhe mbrojtjes. 
 
“Vizita jonë sjell mesazh të  qartë. Jemi gati t’ju presim në familjen e NATO-s. Anëtarësimi në NATO do të sjellë siguri dhe prosperitet më të madh për qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Do të merrni pjesë në krijimin e politikave të NATO-s, zëri juaj në miratimin e vendimeve do të jetë i rëndësishëm po aq sa i anëtarëve të tjerë. Përderisa përgatitemi për anëtarësimin tuaj, është e domosdoshme të mbahet dinamika e reformave. Ne do të vazhdojmë t'ju mbështesim në këtë rrugë. Presim të vazhdoni të rritni shpenzimet për mbrojtje. E dini se është 2% nga BPB, por duam ta përshëndesim Maqedoninë e Veriut për rritjen që ka bërë deri më tani”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Zaev: Gati për sfidën e re, të fokusuar në reforma
 
Kreu i ekzekutivit, Zaev, u shpreh se vendi është gati për sfidën e re, si anëtare fuqiplote e NATO-s dhe se do të ndajë përgjegjësitë që e presin brenda në Aleancë. Poashtu theksoi se qeveria është e fokusuar në reforma dhe në përgatitjen institucionale. 
 
“Republika e Maqedonisë së Veriut bëhet pjesë integrale e bashkësisë trans-atlantike. Jemi gati për fillim të ri si anëtare fuqiplotë dhe si aleate e NATO-s. Të përkushtuar fuqishëm për të ndarë përgjegjësitë dhe vlerat e përbashkëta. Mbetemi të përkushtuar në promovimin e dialogut rajonal dhe bashkëpunimin me shtetet fqinjë, që është bazë për siguri edhe stabilitet rajonal. Struktura jonë nacionale për integrim në NATO  palodhshëm punon në arritjen e rezultateve sipas programit për vazhdimin e  reformave, veçanërisht theksi është vënë në përgatitjen institucionale kur Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht do të promovohet si anëtare fuqiplotë e NATO-s”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Nga bisedimet në takimin e Këshillit Veri-Atlantik me Komitetin për Integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, Zaev pret që në dhjetor vendi të bëhet zyrtarisht anëtare fuqiplotë e NATO-s. Stoltenberg është takuar edhe me kryetarin e shteti, Stevo Pendarvski, ndërsa mbrëmë me kryetarin e kuvendit, Talat Xhaferin.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU