Maqedoni

Pranvera e ftohtë e 2019, shi deri të mërkurën, moti normalizohet të enjten

03.06.2019 16:00

Në mbarë vendin do të vazhdojë të mbajë mot me shi e bubullima, të paktën deri të mërkurën...

Më pas temperaturat do të ngrihen në nivelet e pritshme për qershorin. Por, përse sivjet pranvera erdhi kaq ndryshe nga vitet e tjera?
 
Maji i këtij viti do të hyjë në histori për shkak të temperaturave shumë të ulëta. Temperaturat “polare” u shoqëruan nga shira të forta, breshëri, bora dhe lumenj të fryrë.
 
Nuk është hera e parë që moti “çmendet” kaq shumë. Edhe në të kaluarën kemi përjetuar mot të ftohtë gjatë muajit, temperatura të ulëta janë shënuar edhe në vitet 1957, 1987 dhe 1991, por sivjet janë regjistruar temperatura rreth 4 °C nën mesataret e regjistruara ndër vite.
 
Fajtore për këtë mot kaq të pazakontë është vorbulla polare që zakonisht mban të mbyllur ajrin e ftohtë, në mbi 60 gradë gjerësi në veri, në rajonin polar të planetit.
 
Diçka  ka dobësuar “gardhin” që  bllokon daljen e ajrit të ftohtë me presion të ulët, duke krijuar një rrjedhje të ajrit të ftohtë që ka goditur Evropën qendrore. Përgjegjës për këtë valë të acartë mund të jetë dielli, ose më mirë mungesa e aktivitetit të tij. 
 
Vera ndërkohë paralajmërohet tepër e nxehtë sivjet. Europa do të përjetojë temperaturë më të ngrohta këtë verë për shkak të sistemeve të presionit të lartë.
 
Këtë fundjavë në Britaninë e Madhe, Francë, Portugali dhe Spanjë, temperatura që kanë shkuar deri në 30 gradë celsius para një rënieje të pritshme javën e ardhshme.
 
Ndryshimet klimatike të shkaktuara më së shumti nga aktiviteti abuzues i vetë njerëzve mund të sjellin edhe viteve të ardhshme befasi nga stinët që ndryshojnë jashtë ritmit normal, nëse nuk marrim masa menjëherë për të respektuar natyrën. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI