Maqedoni

Marrja e mandatit, LSDM: Gruevski ta dorëzojë dorëheqjen në Kuvend

03.06.2019 16:17

Edhe pse deputeti i arratisur, Nikolla Gruevski, paralajmëroi gjatë fundjavës dorëheqje nga funksioni i deputetit...

Edhe pse deputeti i arratisur, Nikolla Gruevski, paralajmëroi gjatë fundjavës dorëheqje nga funksioni i deputetit, është e paqartë se si do të realizohet e njëjta, pasi ish kryeministri aktualisht gëzon statusin e azilantit në Hungari.
 
Sipas nenit 65 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe nenit 57 të rregullores për punën e Kuvendit, deputeti mund të japë dorëheqje dhe të njëjtën e dorëzon personalisht në seancë kuvendore.
 
Përderisa për VMRO-DPMNE-në ish kryetari i tyre dorëheqjen mund ta dorëzojë nga Hungaria përmes ndonjë përfaqësuesi, nga LSDM vlerësojnë se duhet respektuar Kushtetuta, e cila në mënyrë precizë rregullon këtë çështje.
 
“Kemi obligim si deputetë dhe politikanë përgjegjës që të respektojmë Kushtetutën, e cila është e qartë dhe qartë tregon se si mund deputeti të dorëzojë dorëheqje. Sipas Kushtetutës, ai duhet personalisht të vijë dhe të dorëzojë dorëheqjen në Kuvend. Ku është përgjegjësia para qytetarëve ku është patriotizmi i rrejshëm që e propagandon VMRO-DPMNE. Nikolla Gruevski si deputet ka për obligim të kthehet në vend, ka obligim të vuaj dënimin e sjellë në procedurë transparente dhe gjithsesi nëse ka ndërmend të japë dorëheqjen e deputetit. Seancë duhet të mbahet në bazë të përfundimit të miratuar të Komisionit për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit”,- deklaroi Kostadin Kostadinov nga LSDM.
 
Gruevski gjatë paralajmërimit të dorëheqjes së tij nga mandati i deputetit ka theksuar se këtë e bën me qëllim që partia e tij dhe deputetët të mos jenë pre e shtypjeve, propagandave të rrejshme apo linçit të mediave dhe pushtetit.
 
Përderisa pritet të shihet se si ish kryeministri do ta kryejë procedurën e dorëheqjes nga pozita e deputetit, në Kuvend rrjedh procedura për marrjen e mandatit për shkak të mungesës së paarsyeshme në punë për më shumë se gjashtë muaj.
 
Të mërkurën e kaluar, Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit me pesë vota “për” rekomandoi Kuvendit marrjen e imunitetit në seancë plenare. Kuvendi nuk ka të caktuar seancë plenarë për këtë javë, seanca e parë që do të mbahet është ajo e caktuar për më 11 qershor.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI