Maqedoni

Fillimi i negociatave të RMV-së me BE-në, Gjurovski: RMV jo në paketë me Shqipërinë. Timonie: Vazhdoni reformat, të gatshëm t’ju ndihmojmë

03.06.2019 16:30

Fillimi i negociatave të RMV-së me BE-në nuk varet vetëm nga Maqedonia e Veriut...

Vendi ynë i ka plotësuar detyrat dhe shtyrja eventuale e datës për në fillim të korrikut apo në fund të këtij viti, nuk duhet të rrisë euroskepticizmin, vlerëson kryetari i Shoqatës së Politikologëve, Marijan Gjurovski, sipas të cilit Qeveria dhe opozita duhet bashkërisht të lobojnë për marrjen e datës për fillimin e negociatave në qendrat europiane.
 
Gjithsesi, sipas tij, me rëndësi është implementimi i reformave, përfundimi i detyrave të shtëpisë, por sidomos ndarja e vlerësimeve dhe marrja e datës së përbashkët  në të njëjtën kohë me Shqipërinë, sepse bëhet fjalë për dy vende me situata tërësisht të ndryshme. 
 
“Me rëndësi është që këto dy muaj, RMV të ndahet nga pakoja me Shqipërinë, për shkak se mundësitë dhe gjendja e Maqedonisë së Veriut është dukshëm më pozitive dhe tentativat tona janë që më së voni deri në fillim të vitit të ardhshëm t’i fillojmë negociatat me BE- në, që për vendin do të thotë arritje e sigurisë dhe stabilitetit”,- tha kryetari i Shoqatës së Politikologëve, Marijan Gjurovski.
 
Ambasadori francez Timonie pranon përparimin që vendi ynë ka arritur në procesin reformues, por përkujton se duhet ende punë, sidomos në reformën për sundimin e shtetit ligjor. 
 
“Kuptohet se është me rëndësi të vazhdohet me pajtimin rajonal dhe po ashtu të thellohen reformat në sferën e sundimit të së drejtës, të shtetit ligjor, ku mbetet edhe shumë punë për t’u bërë. Presidenti Makron e ka prezantuar strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor dhe një pjesë e saj përbëhet nga ndihma që ne do t’ua japin në përgatitjet rreth negociatave paraqasëse dhe gjatë kësaj jave do të mbahet punëtoria a katërt, në kuadër të Sekretariatit për Çështje Evropiane, me ç’rast ne  ndihmojmë që të përgatitet ky institucion për hapjen e negociatave paraqasëse”,- theksoi ambasadori i Francës në RMV, Kristijan Timonie.
 
Ambasadori Timonie përkujton se për hapjen e negociatave duhet të shihet jo vetëm përparimi i një vendi aspirant në procesin reformues, por edhe vetë kapaciteti i BE-së për të pranuar anëtare të reja.
 
FLUTURA LATIFI