Maqedoni
LSDM: Treguam se si punohet në interes të qytetarëve. VMRO-DPMNE: LSDM punon vetëm për interesin e “familjes”
03.06.2019 17:29
Dy vjet pasi LSDM mori përgjegjësinë, dhënë nga qytetarët, vërehet përparimi i vendit në të gjitha fushat...

Treguam se si punohet në interes të qytetarëve dhe se si duhet të krijojmë një vend me një të ardhme krejtësisht të sigurt evropiane, tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.
“Nga një shtet i kapur, sot RMV është një shembull i shkëlqyer në rajon. E kthyem lirinë e fjalës dhe e siguruam, demokracia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë forcuar, transparenca asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Sundimi i ligjit dhe siguria sociale janë në fokus të politikës. Nëpërmjet konceptit "Një shoqëri për të gjithë" kemi treguar se si funksionon një shoqëri e suksesshme që kujdeset në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët tanë. Më pak se dy vjet, të gjitha çështjet e hapura me fqinjët janë zgjidhur. Nga një shtet i izoluar, kemi marrë ulësen tonë në NATO dhe jemi para fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Paga mesatare për dy vjet është rritur mbi 2.000 denarë. Asistenca sociale është rritur me rreth 300%”,- tha Kostadin Kostadinov nga LSDM.
Por, VMRO-DPMNE-ja opozitare ka ironizuar duke numëruar të arriturat e duke akuzuar se me këtë pushtet qytetarët nuk kanë perspektivë.
“Zoran Zaev arriti që t’i punësojë anëtarët e familjeve të LSDM-së. Zaev arriti që ta bëjë vëllanë e tij, Vice Zaev, biznes partnerin më të dëshiruar në R. M.. Zaev arriti që të fitojë edhe amnistinë e dytë dhe të tretë. Zaev dhe Angjushev arritën të sigurojnë subvencione nga Fondi për inovacione. Zaev dhe pushteti arritën që në kuartalin e parë të vitit 2019 të shkruhen në histori për zvogëlimin e investimeve të huaja. Zaev arriti që ta zvogëlojë çmimin blerës të prodhimeve bujqësore. Zaev dhe Filipçe arritën që shëndetësinë ta sjellin në humnerë. Zaev dhe pushteti arritën të shpenzojnë 10 miliardë euro duke mos ditur përse. Zaev dhe Spasovski kanë ulur sigurinë dhe e dhjeta, pushteti arriti që të degradojë armatën”,- tha Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.
Akuzat e opozitës vijnë pas llogaridhënies këtë fundjavë të qeverisë Zev për dy vitet e drejtimit me shtetin.
NAIM RAMADANI
