Maqedoni
N. P.“Higjiena Komunale” gëzon të punësuarit: Do të paguhet regresi për pushimin vjetor për 3 vite
03.06.2019 17:45
Ndërmarrja Publike “Higjiena komunale” deri në fund të vitit të punësuarve të saj...

Ndërmarrja Publike “Higjiena komunale” deri në fund të vitit të punësuarve të saj do t’ua paguajë regresin për shfrytëzim të pushimit vjetor për 3 vitet e kaluara.
Marrëveshja për mënyrën e kryerjes së kësaj pagese u nënshkrua mes kryetarit të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, Abdusamed Shabani, dhe kryetarit të Sindikatës së punëtorëve, Darko Dimovski.
“Që nga dita e parë e kemi thënë publikisht që do të kujdesemi për të drejtat e punëtorëve tanë, por edhe për përmirësimin e kushteve. Dua të shpreh kënaqësinë time nga vendimi i marrë, duke pasur parasysh se ndaj punëtorëve të Ndërmarrjes më shumë se një dekadë nuk u është përmbushur kjo detyrë ligjore. Shpresoj që kjo nuk do të jetë hera e parë por as e fundit”,- deklaroi drejtori i Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, Abdusamed Shabani.
“Nuk është e lehtë të negociohet me punëdhënësit për detyrimet që kanë ndaj të punësuarve, ja siç është rasti me rikthimin e regresit, por sigurisht që nuk është e lehtë as për drejtorin që të ndajë 14 milion denarë pas 11 vitesh kur dikush nuk e ka bërë atë në kohë”,- tha kryetari i Sindikatës, Darko Dimovski.
Të punësuarve në “Higjienën Komunale” do t’u paguhet regresi për shfrytëzim të pushimit vjetor për vitin 2016, 2017 dhe 2018, ndërsa vendimi në fjalë i Këshilli drejtues të ndërmarrjes vjen pas situatës stabile financiare që ka pasur gjatë vitit të kaluar.
ZEKIRIJA MEXHITI
