Maqedoni

Lejoi punësime gjatë zgjedhjeve, padi kundërvajtëse ndaj kreut të Negotinës

03.06.2019 18:00

Komisioni për parandalimin e korrupsionit, vendosi të ngrejë padi kundërvajtëse ndaj kryetarit të komunës së Negotinës, Toni Dellov...

Komisioni për parandalimin e korrupsionit, vendosi të ngrejë padi kundërvajtëse ndaj kryetarit të komunës së Negotinës, Toni Dellov, për shkak të punësimeve të disa personave në komunë gjatë periudhës zgjedhore.
 
Antikorrupsionerët njëzëshëm konstatuan se Dellov në këtë rast ka vepruar në mënyrë të paligjshme.
 
Konstatojnë se punësimet e reja, jo të patjetërsueshme që janë realizuar nga Agjencia për punësim të përkohshëm, ai është dashur t’i vendos në pushim gjatë periudhës zgjedhore dhe pasi të mbarojnë zgjedhjet, të njëjtat t’i realizojë.
 
Komisioni për Antikorrupsion njëherit mbylli për shqyrtim të mëtejshëm lëndën tjetër ndaj Dellovit, i cili dyshohet se ka punësuar si sekretare në mënyrë të jashtëligjshme bashkëshorten e kushëririt të tij të parë edhe pse ka pasur kandidatë të tjerë.
 
Pas hetimeve nga komisioni, është konstatuar se 2 kandidatët e tjerë janë eliminuar për shkak të dokumentacionit jo të plotë të dorëzuar për vendin për të cilin kanë konkurruar. 
 
“Propozoj që ndaj kryetarit të komunës së Negotinës të ngrihet procedurë kundërvajtjeje para organit kompetent. Më lejoni të shpjegoj se angazhimi i tillë i personave përmes Agjencisë për punësimeve të përkohshme është një çështje e dhimbshme që gjithmonë është keqpërdorur. Edhe pse komuna në këtë rast ka pasur plan vjetor për punësime të reja, ata kanë vazhduar t’i plotësojnë vendet e punës siç kanë dashur vetë, një pjesë me punësime të përkohshme e një pjesë e kishte parashikuar në planin vjetor të punësimeve, megjithatë ata kanë vazhduar t’i plotësojnë vendet e punës siç kanë dashur”,- deklaroi anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Nuri Bajrami.
 
Në seancë anëtarët e Komisionit Antikorrupsion vendosën gjithashtu të  kërkojnë informacione më të detajuara për hetimet që ka bërë Prokuroria e Përgjithshme ndaj një punonjëse që ka mashtruar financiarisht qytetarët dhe do të kërkojnë informacione shtesë nga institucionet për 3 rastet tjera që ka dyshime për aktivitetet ndërtimore dhe shkarkime dhe emërime të drejtorëve të disa institucioneve shëndetësore si ushtrues detyre gjatë periudhës zgjedhore. 
 
REXHEP QAMILI