Maqedoni

“Vardari” Kampion Europian në hendboll, thirrje antishqiptare në festimet e fitores

03.06.2019 18:13

Tifozë të shumtë kanë festuar titullin Kampion Evropian të klubit të hendbollit “Vardar”...

Por, hije fitores edhe kësaj radhe i dhanë thirrjet  “Vdekje për shqiptarët e mallkuar” dhe “Maqedoni e pastër”, që u dëgjuan nga një pjesë dërmuese e qytetarëve maqedonas derisa festonin.
 
Gjithashtu gjatë festimeve nga mjetet piroteknike janë lënduar edhe dy persona. Pësoi edhe një makinë me targa të Kosovës, pronari i të cilës me familje kishte ardhur në Shkup për të ndjekur koncertin e këngëtarit Sting. Gjithashtu u dëmtua edhe një makinë në pronësi të MPB-së. 
 
“Pesë të mitur të moshës 14-17 vjeç, të gjithë nga Shkupi, janë arrestuar. Me lëndime të lehta trupore nga pajisjet piroteknike kanë pësuar F. M. (18 vjeç) dhe T. P. (17 vjeç) nga Shkupi. Gjithashtu, Z. M. (36 vjeç) nga Shkupi u arrestua për shkelje të rendit dhe qetësisë para Kuvendit të RMV-së”,- thuhet në njoftimin e MPB-së. 
 
Sa i përket dëmtimit të veturës me regjistrim të Kosovës, nga MPB njoftojnë se dëmtimi i makinës nuk është e ndërlidhur me festimet, por bëhet fjalë për vjedhje të rëndë.
 
Për titullin e dytë Kampion Europe për Vardarin në tre vitet e fundit,  Qyteti i Shkupit do t’i shpërblejë hendbollistët e Vardarit me 6 milion denarë dhe ata priten me të gjitha nderimet, siç u takon kampionëve me një manifestim në sheshin Maqedonia, që Qytetit të Shkupit do t’i kushtojë dy milion denarë nga buxheti që mbushet edhe nga qytetarët shqiptarë të cilët u mallkuan nga disa prej tifozëve.
 
Kreu i Shkupit, Shilegov me apel që hendbollistët që nderuan Maqedoninë e Veriut, të priten si heronjtë e të gjithëve, pa dallim etnie e pa ofendime. 
 
“Dua të porosis që t’i presim hendbollistët me dinjitet, pa ofendime në baza nacionale apo në baza të tjera. Vardari është i të gjithëve. I ftoj të gjithë qytetarët pa dallim të përkatësisë etnike e kombëtare të vijnë në manifestimin në shesh”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov. 
 
Thirrjet antishqiptare që vazhdojnë të përdoren edhe gjatë eventeve sportive ku logjikisht duhet të festojnë të gjithë, nga sociologu, Ali Pajaziti, cilësohen si shfaqje të nacionalizmin dhe shovinizmit.
 
Sipas tij, sporti është gjëja terciale, e cila mund të ketë impakt në ndërtimin, por edhe në rrënimin e marrëdhënieve shoqërore, që mund të sjell në rrënimin e shteteve. 
 
“Merrni vetëm si shembull rastin e ish-Jugosllavisë, kur “Delijet” e Beogradit me “Bad Blue Boys”, e Dinamos së Zagrebit, një ndeshje jashtëzakonisht e tensionuar dhe më pastaj dallgët e tensionimit në tërë shoqërinë jugosllave që çuan deri te rrënimi i Jugosllavisë. Prandaj, duhet që të ndërmerren masa nga organet përgjegjëse. Në veçanti nga organet e klubeve sportive, në këtë rast klubi i Vardarit që besoj se është në konekcion shumë të ngushtë me tifozërinë e vet”,- tha sociologu, Ali Pajaziti. 
 
Edhe Komiteti i Helsinkit dhe OJQ “Civil” dënojnë ashpër thirrjet që nxisin dhunë e mosdurim ndëretnik, duke përkujtuar institucionet të kryejnë punën e tyre e të mos lejojnë mbajtjen e atyre që i kanë cilësuar si “festime urrejtjeje”. Sporti duhet të na bashkojë e jo të na ndajë, porosisin nga sektori civil.
 
ERSAN PAJAZITI