Maqedoni
Fitër Bajrami, festë në të gjitha familjet myslimane në Maqedoni
04.06.2019 09:44
Besimtarët myslimanë festojnë Fitër Bajramin, festën e parë myslimane kudo në botë...

Besimtarët që në orët e hershme të mëngjesit u mblodhën në xhamitë e vendit për t’u falur. Manifestimi qendror si në të shumtën e rasteve edhe këtë vit u mbajt në xhaminë “Musatafa Pasha” në Shkup, në të cilën namazin e Bajramit e fali kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi, ku njëherit u dërguan mesazhe paqeje e mirëkuptimi.
“Të dashur besimtarë, Muhamedi alehim selam për ditën e Bajramit thotë në ditën e Fitër Bajramit, engjëllit qëndrojnë në çdo skaj të rrugës dhe thërrasin: o besimtarë shpejtoni te Zoti juaj fisnik, sepse ai ofron të mirat e tij të pakufishme, shpërblejnë me dhuratat më të mira për shkak se ju urdhëroi falje gjatë natës dhe ju atë e bëtë, ju urdhëroi, të agjëroni, ditën ju këtë e bëtë, e respektuat Zotin tuaj, andaj pranoni dhuratat tuaja. Pas përfundimit të namazit të Bajramit një thirret Zoti juaj, jua fali gabimet, andaj kthehuni të gëzuar në familjet tuaja, sepse kjo është ditë e dhuratave, ditë e shpërblimeve, secili do të marrë atë që i takon sipas Zotit të madhërishëm”,- deklaroi Blerim Limani nga BFI.
Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, para namazit u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.
Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë.
REXHEP QAMILI
