Botë

Festa e Bajramit, Spahiu e Tërrnava me lutje për begati e mirësi

04.06.2019 15:49

Besimtarët myslimanë në Tiranë namazin e Bajramit e kanë falur në sheshin Skënderbeu....

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Shqipërisë, Bujar Spahiu, u lut për begati, mirësi dhe paqe.
 
“Gjatë këtyre ditëve të mos mungojë vëmendja jonë ndaj fëmijëve, prindërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe shtresës në nevojë. Le të heshtim në vend të fjalës së keqe, e kur të flasim, të flasim bukur”,- tha kryetari i komunitetit mysliman në Shqipëri, Bujar Spahiu.
 
Në Kosovë ceremonia kryesore u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me këtë rast u bëri thirrje kosovarëve që të mos e braktisin vendin. 
 
“Platforma solidarizuese që promovon Ramazani, mund të jetë formë e suksesshme e luftimit të kësaj dukurie. Nëse arrijmë të kthehemi në një trup dhe karshi tjetrit, ndjejmë përgjegjësi nëse vuajmë për tjetrin dhe gëzohemi për të, atëherë ne do të sfidojmë gjendjen alarmuese ekonomike, duke luftuar çdo lloj krimi dhe korrupsioni dhe do të angazhohemi për të mirën e vendit, që është edhe amanet i atyre që ranë dëshmorë për çlirimin e vendit”,- theksoi myfti i Kosovës, Naim Tërrnava.
 
Me rastin e Fitër Bajramit, urime te besimtarët myslimanë kanë përcjellë edhe krerët e institucioneve dhe partive politike në Shqipëri dhe Kosovë. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI