Maqedoni

“El Cheka”: Hetim ndërkombëtar për “Kumanovën”, ose vazhdon publikimi i përgjimeve të reja

04.06.2019 16:19

Megjithëse organet e hetuesisë kanë nisur hetimet për dy veprave penale “Përgjim” dhe “incizim të paautorizuar”....

Megjithëse organet e hetuesisë kanë nisur hetimet për dy veprave penale “Përgjim” dhe “incizim të paautorizuar”, Shoqërim Ameti i njohur si “El Cheka”, i pashqetësuar vazhdon të publikojë përgjime të reja për zyrtarët e BDI-së. Poa shtu ai është kërcënuar se nëse brenda 62 ditësh nuk vendoset për hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës, do të publikojë edhe përgjime të reja, me përmbajtje shumë më të rëndë për zyrtarët e LSDM-së, VMRO-së, BDI-së dhe PDSh-së.
 
Atij tanimë disa herë i është mbyllur edhe profili në facebook, por “El Cheka” ka hapur profil të ri dhe ka vazhduar me publikimin e “bombave” të reja. Madje, në sqarimet e tij për publikimin e audio përgjimeve të kundërligjshme ai thotë se këtë e bën në emrin e të akuzuarve të “Grupi të Kumanovës”, Sami Ukshinit, Valdet Zekës dhe Shefqet Hallaqit. Nga MPB bëjnë të ditur se përveç mbylljes së profileve në rrjetin facebook, presin që Prokuroria të marrë masa të reja.
 
“Ministra e Punëve të Brendshme tanimë ka bërë kallëzimin penal për shtetasin e dyshuar, i cili veprat penale vazhdon t’i kryejë nga Çikago e ShBA-së. Sektori i krimit kompjuterik dhe forenzikës digjitale deri dje ka detektuar dhe mbyllur profilet e tij në rrjetet sociale. Të gjitha procedurat e mëtejme tani e tutje do t’i ndjek Prokuroria Publike e Kërçovës”,- theksojnë nga Ministra e Punëve të Brendshme.
 
Në bazë të së drejtës ndërkombëtare, Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar bashkëpunim nga organet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin veprimet ligjore për të parandaluar publikimet e mëtejshme të materialeve të përgjuara. Por, “El Cheka” ka deklaruar se edhe në rast të pengimit të tij, ka edhe persona të tjerë që do të vazhdojnë me publikimin e përgjimeve.
 
Ndërsa, nga BDI pa dashur të lëshohen në përmbajtjen e përgjimeve, kanë vlerësuar se bëhet fjalë për biseda private dhe kanë kërkuar nga organet kompetente që të marrin masa për ruajtjen e privatësisë së çdo qytetari, përfshirë edhe zyrtarët e BDI-së. 
 
GAZMEND REXHEPI