Maqedoni

Konferencë rajonale rreth zgjerimit të BE-së “BE rrezikon kredibilitetin pa datën për zgjerim”

04.06.2019 17:24

Mosmarrja e datës për nisjen e bisedimeve me BE-në do të shkaktojë dëshpërim të madh tek qytetarët.....

Mosmarrja e datës për nisjen e bisedimeve me BE-në do të shkaktojë dëshpërim të madh tek qytetarët dhe rrezikon kredibilitetin e BE-së, ishte konstatimi i pjesëmarrësve në konferencën rajonale të organizuar në Shkup rreth zgjerimit të Unionit. Nikoqiri i ngjarjes, ish presidenti, Branko Cërvenkovski, tha se mosmarrja e datës këtë verë do të dëshmojë për mungesën e lidershipit dhe vizionit për një Europë të bashkuar.
 
“Ne nuk flasim për anëtarësim të plotë, ne flasim për fillim të bisedimeve paraqasëse dhe një proces i cili ndoshta do të zgjasë dhjetë vite. Mosmarrja e datës në qershor ose në korrik do të shkaktojë dëshpërim dhe prishje serioze të kredibilitetit të BE-së dhe qeverisë së Maqedonisë në sytë e qytetarëve tanë”,- deklaroi ish presidenti i Maqedonisë së Veriut, Branko Cërvenkovski. 
 
Presidenti, Stevo Pendarovski, pret që BE të vlerësojë suksesin e Maqedonisë së Veriut dhe të caktojë datën për nisjen e bisedimeve. 
 
“Sa i përket çështjeve më të rëndësishme, ne bëmë punën tonë, tani i mbetet radha Këshillit të Europës dhe t’i jep qytetarëve tanë datën e merituar për nisjen e bisedimeve. Ky do të jetë test edhe për kredibilitetin e Unionit. Çdo shtyrje shtesë e bisedimeve do të prish kredibilitetin e BE-së, do t’i demotivojë qytetarët do të ngadalësojë procesin e reformave dhe negativisht do të ndikojë në stabilitetin e rajonit”,- tha presidenti, Stevo Pendarovski. 
 
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, tha se 2019-a është viti kyç jo vetëm për vendin, por edhe mbarë Ballkanin Perëndimor. 
 
“Politika e krijimit të paqes së qëndrueshme në kontinentin europian duke e themeluar BE-në, por edhe zgjerimi si një prej politikave më të suksesshme të saj, fituese e çmimit Nobël, është pa alternativë për ne dhe një mundësi historike për të konsoliduar integrimin e mëtutjeshëm të kontinentit, integrimin paqësor të kontinentit”,- tha zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani. 
 
Ish kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, theksoi se rol të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit luan kërkimi i aleatëve në mesin e shteteve anëtare.                                                                                           
“Do të duhet të kërkoni aleatë. Unë mendoj se Kroacia është njëri prej tyre, pasi që ju kuptojmë më së miri. Edhe sot Unioni përbrenda nuk është i dhënë tejmase pas zgjerimit, ashtu siç nuk ishte gjatë anëtarësimit të Kroacisë, kur ka pasur bisedime të bllokuara, krizë ekonomike e kështu me radhë. Andaj mos hiqni dorë”,- tha ish kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor. 
 
Ish presidenti i Malit të Zi, Fillip Vujanoviç, kritikon strategjinë e BE-së për zgjerim e cila duhet fillimisht forcuar që më pas t’i hap dyert për anëtare të reja. Vujanoviç thotë se kjo mund të sjellë procese retrograde.
 
“Maqedonia e Veriut zgjodhi kontestin dydekadësh nëpërmjet komunikimit të dy qeverive. Realisht konsiderojmë se ekziston rrezik në BE që procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor ta zbresë më poshtë në listën e prioriteteve”,- tha ish presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
 
Në konferencë u nënshkrua deklaratë e përbashkët, me të cilën u kërkua që BE të caktojë datën për nisjen e bisedimeve.
 
MERAL ISMAILI