Maqedoni

VMRO akuza LSDM-së dhe kryeministrit: Këshilltar të padenjë dhe raport negativ nga KE

04.06.2019 17:50

VMRO-DPMNE ka kritikuar kryeministrin, Zoran Zaev, për ekipin e këshilltarëve që ka angazhuar....

Ata pyesin publikisht kryeministrin se a duhet qytetarët të paguajnë ekspertë apo mashtrues dhe kriminelë që paguhen për të këshilluar kryeministrin Zaev. Njëherit, zëdhënësi, Dimçe Arsovski, parashtroi një sërë pyetjesh në adresë të kryeministrit Zaev.
 
“E pyesim Zaevin të përgjigjet se a është e vërtetë se kundër Andrej Manevit në vitin 2012 është ngritur padi penale, ku është akuzuar për ndërtim pa leje. Për angazhimin e tij ka meritë bashkëshortja e tij e cila është kryetare e Gjykatës në Kumanovë, e cila e udhëheq lëndën, ku Zaev akuzohet për blerje të zgjedhjeve. A do e angazhojë Zaevi edhe Sonja Nikollovskën si këshilltare bankare apo Svetllana Cocirovska Poleten si këshilltare për parandalimin e tregtisë me mjete narkotike. Zaev dhe LSDM duhet të largohen. Fshesa duhet të përshijë tërë Qeverinë sepse gjithçka tjetër është farsë”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
 
Nga VMRO-DPMNE po ashtu theksojnë se LSDM dhe Zoran Zaev premtuan ambient më të mire jetësor dhe ajër të pastër, por për dy vite nuk arritën asgjë. Komisioni Evropian në raportin e tij vlerëson se Qeveria nuk ka përparim sa i përket sferës së ambientit jetësor, thonë nga VMRO.
 
“Nevojitet të zbatohen masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe sigurimin e koordinimit efektiv mes autoriteteve lokale dhe qendrore, dhe sigurimin e mjeteve të nevojshme financiare. Në qytetet e mëdha niveli i ndotjes së ajrit është tejet i lartë dhe këtë e kanë ndjerë qytetarët në lëkurën e tyre. Shkupi kryeson në listën si qytet më i ndotur në Evropë dhe spitalet janë të mbushur përplot”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivica Tomovski. 
 
LSDM: Kemi raportin më pozitiv nga KE-ja
 
Janë kundërpërgjigjur nga LSDM sipas të cilës: “VMRO-DPMNE ende nuk mund të pajtohet me raportin më pozitiv nga KE-ja dhe rekomandimin  e pakushtëzuar për fillimin e negociatave me BE-në. Në vend që t’i gëzohet suksesit të atdheut, VMRO-DPMNE vazhdon me konstruksionet e njëjta. Qytetarët shumë mirë e dinë se shtet të robëruar krijoi Gruevski, këshilltar i të cilit ishte Hristijan Mickovski. Këshillat e Mickovskit i kushtuan shtetit mbi 2 milion denarë. Si shpërblim për rrënimin e sistemit energjetik, Mickovski shpërblehet me tokë shtetërore për biznesin e tij me hidrocentrale. Për dallim nga koha kur numri dhe emrat e këshilltarëve ishin të fshehura nga qytetarët, sot opinioni publik është i njoftuar me të gjitha informacionet sa i përket punës së këshilltarëve në kabinetin e kryeministrit Zaev”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
FLUTURA LATIFI