Botë

Trump në Londër: Po përgatisim një marrëveshje tregtare

04.06.2019 18:43

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndodhet për vizitë në Londër...

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndodhet për vizitë në Londër, ku deklaroi se derisa Britania e Madhe po bëhet gati për të lënë BE-në, Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një marrëveshje “të jashtëzakonshme tregtare” mes dy vendeve. Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministren në largim të Britanisë së Madhe, Theresa May.
 
“Ka potencial për një marrëveshje e cila do të dyfishojë apo edhe trefishojë tregtinë ndërmjet dy kombeve”, tha presidenti Trump.
 
Në anën tjetër, kryeministrja në largim, Theresa May, tha se të dyja vendet janë të përkushtuara në drejtim të arritjes së marrëveshjes tregtare. Të dy udhëheqësit kanë diskutuar edhe për Iranin, Kinën dhe çështje tjera të sigurisë. Trump dhe May thanë se do të vazhdojnë bashkëpunimin për të siguruar se Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe do të ndalë përkrahjen për terrorizmin.Presidenti amerikan Trump po qëndron për vizitë treditëshe në Londër.
 
Derisa të dy udhëheqësit mbanin konferencë për media, në rrugët e Londrës po mbaheshin protesta kundër presidentit Trump. Protesta janë mbajtur në disa vende të Britanisë së Madhe. Presidenti Trump protestat i quajti "lajm i rremë" dhe tha se ekziston një grup i vogël i njerëzve që janë mbledhur për qëllime politike. Trump gjithashtu tha se ka refuzuar të takojë udhëheqësin e opozitës britanike, Jeremy Corbin.
 
Trump gjatë vizitës së tij në Britani të Madhe, mori pjesë në një banket shtetëror në Pallatin Bukinghem, ku lavdëroi, siç tha, miqësinë e përjetshme midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Mbretëresha britanike, Elizabeth, tha se dy vendet kremtojnë aleancën, e cila ka garantuar sigurinë dhe prosperitetin e dy popujve për dekada.