Maqedoni

Grubi, letër kolegëve nga vendet e BE-së

06.06.2019 18:38

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështje evropiane Artan Grubi...

Kryetari i Komisionit parlamentar për çështje evropiane Artan Grubi ka dërguar letër deri te kolegët e vendeve të BE-së me të cilën apelon që t’i jepet mbështetje vendit për datën e fillimit të negociatave në qershor.
 
“Në emër të të gjithë deputetëve, anëtarëve dhe zëvendës anëtarëve të Komisionit për çështje evropiane të Kuvendit tonë, dëshiroj t’ju falënderohem për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në lidhje me aderimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. Përcaktimi ynë për anëtarësim në BE është i qartë, e që u vërtetua edhe nga kjo përbërje e Kuvendit, me miratim të njëzëshëm të Deklaratës për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian, nga ana e të gjitha partive politike”, ka shkruar Grubi.
 
Në letër Grubi poashtu thekson se “Data për ne paraqet hapje të derës së klasës, ku vazhdimisht duhet të mësojmë dhe të japim 35 provime që në fund të diplomojmë. Ju na inkurajuat në mënyrë miqësore të tregojmë burrë-shtetësi dhe t’i zgjidhim të gjitha çështjet tona, ashtu siç edhe vepruam, e tani ne ju inkurajojmë në mënyrë miqësore të na jepni shans neve por edhe Evropës së bashkuar”, nënvizon kryetari i Komisionit për çështje evropiane, Artan Grubi.