Prokuroria merr në pyetje për disa orë Shefqet Krasniqin
Imami i “Xhamisë së Madhe” në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është arrestuar për disa orë dhe pasi është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, është liruar.......

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur se ka shoqëruar Shefqet Krasniqin si të dyshuar për veprën penale “nxitje e urrejtjes, përçarje ose mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik”, sipas nenit 147 të Kodit Penal të Kosovës.
Arrestimi është bërë si rezultat i vazhdimit të hetimeve në ndërlidhje me operacionet policore të realizuara kohë më parë në disa qytete të Kosovës, me ç’rast, nën dyshimin për pjesëmarrje në luftimet në Irak dhe Siri përkrah organizatave të shpallura terroriste, Shteti Islamik dhe Al-Nusra, si dhe nën dyshime të tjera që lidhen me radikalizmin fetar, u arrestuan 40 persona, përfshirë edhe imam xhamish.
Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar miratimin e një Ligji, i cili dënon deri në 15 vjet burgim pjesëmarrjen në luftëra të huaja me ngjyrime terroriste.
