Botë

Protestat e opozitës në Tiranë, Meta shfuqizon dekretin për zgjedhjet

09.06.2019 12:19

Teksa opozita në Shqipëri protestonte mbrëmë para kryeministrisë, presidenti i republikës Ilir Meta...

Teksa opozita në Shqipëri protestonte mbrëmë para kryeministrisë, presidenti i republikës Ilir Meta njoftoi shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në njoftimin e presidencës thuhet se ky vendim erdhi si pasojë e stiuatës mjaft të tensionuar në Shqipëri, e cila e ka pamundësuar procesin zgjedhor. 
 
“Duke patur parasysh domosdoshmërinë e çtensionimit urgjent të situatës dhe të rrezikut të përshkallëzimit të paparashikueshëm të konfliktit në vend. Me vetëdije të plotë se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse kam vendosur të shfuqizoj Dekretin nr.10928, datë 05.11.2018 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019”- tha Meta.
 
Pas këtij vendimi i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të opozitës Lulzim Basha gjatë fjalës që mbante në kryeministri. 
 
”Anulimi i 30 qershorit nuk është fundi i betejës. Ai është vetëm një rezultat i qëndresës së një populli të bashkuar për Shqipërinë si gjithë Europa. Largimi i Ramës është i panegociueshëm”- tha Basha.
 
 Ndaj vendimit te presidentit Meta ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili tha se data e zgjedhjeve nuk do të ndryshojë.
 
“Protesta është një përpjekje e dëshpëruar e njerëzve që do humbin. Zgjedhjet me 30 qershor do të zhvillohen dhe Meta bëri gabim përsëri. Më 30 qershor do ketë zgjedhje, ato nuk janë as të opozitës dhe as të Presidentit. Ata kanë qëllim të shkatërrojnë zgjedhjet”- tha Rama.