Maqedoni
Realizimi i programit qeverisës, Musliu: Varet nga marrja e datës nga BE
09.06.2019 15:01
Realizimi i programit qeveritar nga kabineti i kryeministrit Zoran Zaev, shoqëri për të gjithë....

Realizimi i programit qeveritar nga kabineti i kryeministrit Zoran Zaev, shoqëri për të gjithë, në dy vitet e ardhshme qeverisje diktohet nga marrja apo jo e datës për fillimin e negociatave, vlerëson analisti politik Albert Musliu. Sipas tij edhe vetë fati i ekzekutivit varet pikërisht nga procesi integrues i vendit.
“Ne duhet të presim se kemi zhvillime të reja në skenën politike. Kishim paralajmërime të kryeministrit Zaev, eventualisht kthimin e mandatit, por edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nëse nuk merret data për fillimin e negociatave. Nëse ajo ndodh gjithsesi programi qeveritar ndërpritet për gjysmë edhe nuk mund të mendohet për plotësimin e premtimeve dhe obligimeve të mara”, tha analisti politik Albert Musliu.
Musliu vlerëson se me marrjen e datës, politikat e Zaev do të duhet të fokusohen në drejtësi por edhe rritjen e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Nëse nga ana tjetër nuk shpallen zgjedhjet e parakohshme, caktohet data atëherë sygjerimi im do të ishte që ti jepet një vrull pak më I madh në reformat në sistemin e jurisprudencës por edhe të administarët, por gjithsesi edhe në ndërrimin e klimës ekonomike edhe sigurimin pak më të vrullshëm ekonomik”, tha Musliu.
Një javë më parë, qeveria aktuale shënoi dy vite qeverisje. Zaev dhe zëvendësat e tij pohuan se kanë kryer detyrimet drejt BE-së për marrjen e datës ndërkaq premtuan se do të përkushtohen në zhvillimin e mëtejmë të ekonomisë, barazi juridike për gjithë qytetarët si dhe konfiskim të pronës nga kriminelët në kuadër të luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mirpo nga deklarimi i fundit i Zaev, mësohet se përmbushja e këtyre angazhimeve varet nga marrja ose jo e datës për nisjen e bisedimeve. Madje nga data varet edhe rikonstruimi I qeverisë, I dyti me rradhë në krye me Zoran Zaev.
MERAL ISMAILI
