MUNDJE

Rexhallari: Shpresoj të kthehem me rezultat të mirë

04.09.2014 17:09

Ekspedita e Maqedonisë në mundje, me në krye seleksionuesin Lulzim Vrenezi dhe tre mundësit që do të na përfaqësojnë në kampionatin botëror, gjatë ditës së nesërme do të udhëtojnë për në Tashkent të Uzbekistanit.........

Ekspedita e Maqedonisë në mundje, me në krye seleksionuesin Lulzim Vrenezi dhe tre mundësit që do të na përfaqësojnë në kampionatin botëror, gjatë ditës së nesërme do të udhëtojnë për në Tashkent të Uzbekistanit, ku prej 8 e deri më 14 shtator, do të orvaten të gëzojnë vendin tonë me rezultate të mira.

Debutuesit Jasin Rexhallari në kategorinë deri në 61 kilogram dhe Boban Danov në kategorinë deri në 125 kilogram, si dhe mundësi me përvojë Dejan Mitrov, në kategorinë deri në 65 kilogram, do të janë tre përfaqësuesit e Maqedonisë në këtë botëror. Jam në formë të mirë dhe shpresoj në rezultate positive, është shprehur para nisjes për në Tashkent, Jasin Rexhallari.

“Përgatitjet e zhvilluara në Bullgari, kaluan shumë mirë. Mendoj se jam në formë të mirë dhe shpresoj që nga Uzbekistani të kthehem me rezultat të mirë. Është hera e parë që do të paraqitem në një kampionat botëror dhe shpresoj që të paraqitem sa më mirë”, - është shprehur Rexhallari.

Në ekspeditën e Maqedonisë, pos seleksionuesit dhe mundësave, do të gjenden edhe nënkryetari i Federatës Betim Vrenezi dhe Trajçe Dimkov, kryetar i komisionit profesional pranë Federatës, të cilët të dielën do të marrin pjesë në kongresin e rradhës të FILA-s. (Mustafa Ademi, TVM2)