Botë

Gazetat kryesore ruse dalin në mbështetje të gazetarit të arrestuar

10.06.2019 20:44

“Ne jemi Ivan Golunov”, është shkrimi në ballinat e tri gazetave ruse...

Tri nga gazetat kryesore të Rusisë dolën në mbështetje të gazetarit Ivan Golunov, i cili ndodhet në arrest shtëpiak, nën akuzat që lidhen me narkotikët.
 
Ballinat e gazetave “Vedomosti, “RBC” dhe “Kommersant” shkruanin: “Ne jemi Ivan Golunov”.
 
Ai u akuzua në fundjavë për përpjekje për të shitur drogë ilegalisht.
 
Akuzat hidhen poshtë nga gazetari, i cili raportohet të jetë rrahur gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim, javën e kaluar.
 
Golunov, 36 vjeç, është gazetar i pavarur, i cili ka kontribuar në një numër të mediave, përfshirë ueb-faqen e lajmeve, Meduza, me qendër në Letoni, transmeton REL.
 
Arrestimi i tij çoi në diskutime të nxehta në mesin e përdoruesve të mediave sociale në Rusi, ku shumë prej tyre i akuzuan autoritetet për përpjekje për të kufizuar lirinë e shtypit.
 
Autoritetet ruse, deri më tani, nuk e komentuan rastin.
 
Shumica e mediave të Rusisë thuhet se kontrollohen nga shteti.
 
Organizata Freedom House e rendit Rusinë të 83-tën, në mesin e 100 vendeve, për lirinë e shtypit.