Në Uells të Britanisë po mbahet Samiti i NATO-s

04.09.2014 17:45

E gjithë bota sot ka kthyer sytë nga Uellsi i Britanisë, i cili këto ditë është “qendra e botës” dhe vendi ku Aleanca e Atlantikut të Veriut në një Samit, të cilësuar si historik, po shqyrton krizat në më shumë vende të globit dhe ku pritet të merr vendime për veprimin e saj në terren. Çështja më me rëndësi e shtruar në këtë Samit është konflikti Rusi–Ukrainë........

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders fog Rasmusen, deklaroi se Aleanca i ka suspenduar të gjitha llojet e bashkëpunimit me Rusinë dhe ka avancuar bashkëpunimin me Ukrainën.

“Ne kemi suspenduar bashkëpunimin me Rusinë, ne kemi përforcuar bashkëpunimin me partnerin tonë, Ukrainën. Kemi përforcuar mbrojtjen kolektive dhe nuk kemi lënë dyshim se do të bëjmë çdo gjë që do të jetë nevoja për të mbrojtur veten. Por, sjellja agresive e Rusisë nuk është sfida e vetme me të cilën përballemi, ne shohim shumë vende krize që nga përfundimi i luftës së ftohtë, urgjente në të njëjtën kohë, në vende të ndryshme të periferisë sonë. Një lloj kaosi jashtë kufijve tanë mund të ketë implikime të drejtpërdrejta për ne, në vendet tona. Nga regjime kriminale dhe ekstremistë të dhunshëm deri te sulmet sajbër ose në internet”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders fog Rasmusen.

Por, as politika e NATO-s e njohur si “dyer të hapura”, e cila nënkupton zgjerimin, nuk do të mbetet pa diskutuar. Por, kësaj radhë Aleanca do t’i kushtojë kujdes Malit të Zi dhe Gjeorgjisë. Maqedonia nuk është në rend dite.

“Në politikën tonë, “dyer të hapura”, ne do të ndërmarrim hapa të rëndësishëm në këtë Samit. Jo që do të përsërisim se dyert tona do të mbeten të hapura për vendet demokratike, të cilat ndajnë vlerat tona dhe mund të kontribuojnë në sigurinë e BE-së, por do të marrim dy hapa të rëndësishëm, që kanë të bëjnë me Gjeorgjinë dhe Malin e Zi. Sa i përket Gjeorgjisë, ne do të miratojmë një pako përmbajtësore, e cila do të afrojë Gjeorgjinë më pranë NATO-s. Sa i përket Malit të Zi, ne do të vendosim të nisim bisedime të fokusuara në reformat e nevojshme në sektorin e mbrojtjes dhe më pas ministrat e Jashtëm do të takohen në fund të vitit 2015 dhe do të vendosin për kohën kur do ta ftojnë Malin e Zi që t’i bashkëngjitet Aleancës”- theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders fog Rasmusen.

Në Samitin e Uellsit, merr pjesë edhe një delegacion nga Maqedonia, i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, shefi i shtatmadhorisë së ARM-së, gjeneral nënkoloneli Goranço Koteski dhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë në NATO, Martin Trenevski.

Gjatë Samitit, Jolevski do të mbajë fjalim në takim me ministrat e Mbrojtjes kushtuar Platformës për Interoperativitet, ndërsa janë parashikuar edhe disa takime bilaterale me kolegët e tij nga vendet anëtare të Aleancës.

Ministri Poposki, në kuadër të Samitit do të marrë pjesë  në sesionin përkushtuar  angazhimit të Aleancës në Afganistan (ISAF format) në nivel të shefave të delegacioneve nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere. (Shpëtim Nuredini, TVM2)