Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, VMRO-DPMNE: Asnjë vend i BE-së nuk regjistron numrat amë
11.06.2019 14:29
VMRO - DPMNE kërkon që në regjistrimin e viti të ardhshëm, të mos shënohen numrat amë të qytetarëve...

VMRO - DPMNE kërkon që në regjistrimin e viti të ardhshëm, të mos shënohen numrat amë të qytetarëve. Reagimi vjen pas paralajmërimit të opozitës për bojkot të mundshëm të regjistrimit, nëse propozim ligji i qeverisë sillet në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
"Në asnjë shtet europian nuk regjistrohen numrat amë, por vetëm amvisëritë dhe qytetarët. Rekomandimet e Eurostat-it, nuk thonë se një vend aspirant për antarësim në BE, duhet të regjistrojë numrat e amzës", thonë nga VMRO.
Osmani: Presim vërejtje dhe sugjerime nga VMRO-DPMNE
Nga BDI, përkujtojnë opozitën se shumica parlamentare është hapur për sugjerimet dhe vërejtjet e VMRO-së rreth tekstit.
"Unë dëgjova reagimet e opozitës maqedonase se nuk janë të informuar, por normal se nuk janë të informuar, është vetëm në procedurë parlamentare. Fillimisht është dashur të arrihet konsensus në qeveri dhe tani presim që VMRO-DPMNE-ja të jap vërejtjet sugjerimet, kontributin e tyre për shkak se pjesa më e rëndësishme e regjistrimit është të fitohet fillimisht besimi i qytetarëve", tha zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.
Nga shumica parlamentare thonë se nuk bëhet fjalë për qasje selektive apo ekskluzive por dëshirojnë që në tekstin e ligjit të përfshihet edhe opozita dhe çdo grup që mund të japi kontribut. Enti shtetëror I statistikës tashmë ka sqaruar se bëhet fjalë për benxhmark të kërkuar nga BE e si i tillë, propozim ligji po sillet me procedurë të përshpejtuar pasi më parë ka kaluar flitrin e debateve. Propozim ligji u vu në rend dite në seancën e komisionit amë në kuvend, por u tërhoq meqë mungonte përfaqësuesi I BE-së.
BELINDA ADEMI
