Maqedoni
Transparenca e institucioneve, QKQ: Po përmirësohet, por ende është e ulët
11.06.2019 15:21
Institucionet shtetërore dhe lokale këtë vit kanë plotësuar mesataren prej rreth 56%...

Institucionet shtetërore dhe lokale këtë vit kanë plotësuar mesataren prej rreth 56% të detyrimeve për publikimin e informacioneve për punën e tyre, sic janë rregulloret dhe vendimet, shërbimet që i ofrojnë, shpenzimi i parave, mundësia e pjesëmarjes qytetare, kërkimi i përgegjësisë etj. Kjo u njoftua nga Qendra për Komunikime qytetare në Indeksin e saj të ri të Transparencës Aktive për 2019.
Por edhe pse Transparenca Aktive e Ministrive dhe Komunave, është rritur për 12.5% krahasuar me vitin e kaluar, QKQ përkujton se ky nivel nuk është i kënaqshëm. Asnjë institucion nuk i është përmbajtur në tërësi obligimit për të publikuar informata të karakterit public pa kërkesën e dikujt. Informacionet financiare publikohen pak, ministritë publikojnë vetëm 57% të informacioneve të tilla ndërsa komunat vetëm 26% nga informatat që duhet të pubikojnë. Ministritë janë më transparente se komunat, me një mesatare prej 77.6 % të informatave të publikuara, për dallim nga mesatarja prej 51.7 % te vetqeverisja lokale. Më trasnparente është Ministria e Bujqësisë, madje më transparente se vetë Qeveria që mban vendin e dytë.
Në fund të listës së transparencës gjendet Ministria e Kulturës. Institucioni më transparent nga vetëqeverisja lokale, është Komuna e Manastirit, me 87.7 %. Transparenca mesatare është më e mira në komunat e rajonit lindor, dhe më e dobët në rajonin e Shkupit . Indeksi i transparencës aktive realizohet në kuadër të aktiviteteve të projektit “Shpenzimet publike për të mirën publike”, i mbështetur nga projekti USAID-it për Pjesëmarrjen e Qytetarëve. Qëllimi i këtij aktiviteti është që të rrisë efektivitetin e shpenzimeve publike përmes zvogëlimit të korrupsionit dhe rritjes së transparencës.
VLORA LATIFI TOPOJANI
