Rrahja në këshillin komunal në Ohër, Mena paralajmëron padi penale ndaj Useinit
Mospranimi i propozimit të shumicës në kuvendin komunal të Ohrit...

Mospranimi i propozimit të shumicës në kuvendin komunal të Ohrit, që kishte të bënte me planin e ri të punës së ndërrmarrjes publike komunale të qytetit, ka bërë që seanca e këshillit të kthehet në arenë zënkash, teksa këshilltari i BDI-së Nafi Useini sulmoi fizikisht këshilltarin e Lëvizjes Besa, Xhemal Mena, që votoi kundër propozimit.
Mena e ka paraqitur rastin në polici, ka kërkuar ndihmë në repartin kirurgjik të Spitalit të Ohrit, ka paralajmëruar madje edhe padi penale.
Lëvizja Besa kërkon që BDI e LSDM të distancohen nga ky veprim, në të kundërtën do të tregonin se e mbështesin të njejtin.
“Unë kërkova mbrojtje nga policia për mua dhe për familjarët e mi. Nga policia më thanë se nëse ndodh diЗka do të lajmërohesh dhe pastaj do të reagojmë. Një njeri që sulmon në sallë para të gjithë njerëzve tjerë, paramrendoni jashtë çfarë mund të bëjë” – tha Xhemal Mena, Këshilltar i Lëvizjes Besa në Komunën e Ohrit.
“I apelojmë BDI-së që urgjentisht të distancohen nga këshilltari i tyre. Ja ku e kanë një rast eklatant ku ata mund të nisin të ashtuquajturin vetting partiak, në të kundërtën do të dëshmohet, ashtu si edhe në të kaluarën se çdo iniciativë e tyre ka qenë vetëm për përfitim të poenave politik, e jo në interes të përfaqsimit të shqiptarëve. Po ashtu kërkojmë nga LSDM që të distancohen nga veprimet e këshilltarit të BDI-së në Ohër, në të kundërtën do të dëshmohet, ajo që dyshohet se pikërisht LSDM është mbrojtësi më i madh i figurave të korruptuara dhe kriminale të BDI-së” – u shpreh zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Arianit Hoxha.
REAGON USEINI: MENA TRADHËTOI SHQIPTARËT, PRANDAJ REAGOVA
Ndërkohë, këshilltari i BDI-së në Ohër, Nafi Useini, thotë se reagimi ka qenë si shkak i revoltës ndaj mosvotimit të propozimit që do të thoshte punësime të reja për shqiptarët në këtë komunë.
“Edhe pse për këtë ishte i njoftuar dhe në princip i dakorduar të përkrah këtë plan, pasi ai është në drejtim të përfaqësimit adekuat të shqiptarëve dhe të tjerëve , e do të mundësonte punësimin e rreth 20 personave të rinj në këtë ndërmarrje , përfaqësuesi i opozitës shqiptare votoi kundër planit duke hedhur posht mundësinë e punësimit të shqiptarëve. Ky akt i pakuptueshëm , kjo tradhëti e shqiptarëve në Ohër , më revoltoi pa masë, prandaj ndodhi reagimi i im lidhur me këtë votë kundër interesave të shqiptarëve në Ohër”, thuhet në reagimin e këshilltarit të BDI-së Nafi Useini. (Ersan Pajaziti, TVM2)
