Miratohet rebalanci i buxhetit
Me 71 vota “për” dhe asnjë “kundër”, Kuvendi Republikan miratoi ndryshimet dhe plotësimin e buxhetit për vitin 2014......

Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, arsyetoi, siç e quajti, këtë mini-rebalanc, me qëllim që të përmbyllet viti sipas parametrave dhe politikës fiskale të planifikuar. Ai, garantoi se me ndryshimet do të intensifikohet realizimi i projekteve infrastrukturore dhe sidomos ai i korridorit 10, duke shtuar se nuk do të vihet në pikëpyetje asnjë projekt i planifikuar.
“Me qëllim që të përshtatet dinamika e realizimit të shpenzimeve buxhetore dhe veçmas në pjesën e projekteve infrastrukturore me dinamikën e të ardhurave, propozohet një mini-rebalanc i buxhetit, me ç’rast zbatohet një korrigjim i të hyrave dhe shpenzimeve, i cili është më i vogël se 2%, por i nevojshëm për ta përmbyllur vitin ashtu siç është planifikuar, me disiplinën fiskale dhe parametrat kryesore të politikës fiskale në kornizat e projektuara”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Më së shumti rritje, sipas Stavrevskit, ka në sektorin e ndërtimtarisë, industrisë dhe investimeve të huaja.
Ndërkohë, Ramiz Merko nga BDI, u përqendrua në financimin e komunave, duke kërkuar më shumë buxhet për to dhe zhvillim të barabartë rajonal.
“Janë të pamjaftueshme kthimet e mjeteve, të cilat shkojnë në njësitë e vetëqeverisjes lokale. Decentralizimi është i mirë për qytetarët, prandaj është krijuar, prandaj ky decentralizim lidhet shumë me Ligjin për Zhvillim të Barabartë Rajonal, nga i cili duhet të financohen 8 regjione dhe pikërisht ky Ligj nuk realizohet më tepër se 2 apo 3% nga vlera e cila është përcaktuar me Ligj”- theksoi Ramiz Merko nga BDI.
Merko, kërkoi që Ministritë resorë të zbatojnë Ligjin për Zhvillim të Barabartë Rajonal, duke shtuar se edhe gjatë miratimit të buxhetit në të ardhmen, do të këmbëngul në më shumë buxhet për zhvillimin e rajoneve, i cili u takon me Ligj.
Ndryshe, gjatë miratimit të rebalancit në Kuvend nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës, ata të LSDM-së dhe PDSH-së. (Naim Ramadani, TVM2)
