Volers: Terrorizmi problem global
Terrorizmi është problem global dhe kërkon aksione të përbashkëta nga të gjitha vendet, thekson Volers...

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni, Pol Volers, ka vlerësuar si një hap të rëndësishëm ndryshimet e reja në Kodin Penal të Maqedonisë, prej ku parashihet së paku 5 vjet burg për personat që do të organizojnë apo rekrutojnë persona të tjerë për pjesëmarrje në formacione ushtarake apo paraushtarake në vende të huaja, si dhe për ata që do të ndihmojnë financiarisht aktivitete dhe formacione të tilla.
Terrorizmi është problem global dhe kërkon aksione të përbashkëta nga të gjitha vendet, thekson Volers.
“Ndryshimet e reja në Kodin Penal që kaluan dje me shumicë votash, besoj, megjithëse nuk e kam parë procesin e votimit, janë një hap i mirë për Maqedoninë, një numër i madh vendesh në rajon kanë ligje të ngjashme. Terrorizmi është një problem në rritje në botë, është një problem global, që kërkon aksione të përbashkëta nga të gjitha vendet, sepse asnjë vend nuk mund të përballet vetë me këtë problem. Një legjislacion i tillë do të ketë një efekt sinjifikant te njerëzit që shkojnë për të luftuar në aktivitete terroriste në të gjithë botën. Nuk themi se do të ketë efekt të njëjtë te të gjithë, por do të ketë efekt dhe do t’i japë Qeverisë edhe një formë më shumë për të luftuar kundër terrorizmit. Jo vetëm këtu, por edhe vendet e tjera të rajonit kanë Ligje të ngjashme dhe kjo do t’ua lehtësojë punën të gjitha qeverive të rajonit, por edhe gjithë botës, që të luftojnë këtë kërcënim serioz, me të cilin po përballemi”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve, Pol Volers.
Për vetë pjesëmarrësit në formacione ushtarake dhe paraushtarake jashtë vendit, ndryshimet ligjore parashohin dënim deri në pesë vjet burg. Dënimin prej 4 vjetësh burg parashihet edhe për personat që nëpërmjet rrjeteve sociale nxisin apo bëjnë thirrje për luftë në ndonjë shtet tjetër.
Si dhe dënime prej 1 deri më 5 vjet burg për personat të cilën ndihmojnë apo fshehin personat të cilët kryejnë vepra të tilla penale, apo pengojnë personat e autorizuar në zbulimin e autorëve të veprave penale. Ndryshimet në Kodin Penal, gjatë seancës së djeshme të Kuvendit kanë marrë mbështetjen e deputetëve të shumicës. (Florije Kamberi, TVM2)
