Volers: Të luftohet krimi dhe korrupsioni
Qeveria e Maqedonisë, ka një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në luftën kundër terrorizmit...

Për këtë çështje, ambasadori i SHBA-ve, Poll Vollers, ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari dhe ministrja, Gordana Jankullovska, kanë nënshkruar për të dytën herë Letrën e Bashkëpunimit mes Maqedonisë dhe SHBA-ve.
Ambasadori Vollers, tha se SHBA-të më herët fokusin e ndihmës ndaj Maqedonisë e kishin në edukimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të MPB-së, ndërsa tani në shkollimin e avokatëve, prokurorëve dhe gjykatësve, me qëllim që të luftohet edhe më shumë krimi dhe korrupsioni.
“Për Qeverinë, MPB-në dhe Gjykatat edhe më tej mbetet sfidë vazhdimi i reformave dhe implementimi i Ligjeve dhe për këtë ne i inkurajojmë, ne mbështesim luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe tejkalimin e marrëdhënieve ndëretnike. Këto probleme nuk i ka vetëm Maqedonia, por edhe vendet e tjera”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Poll Vollers.
Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, theksoi se kjo Letër do të kontribuojë në përforcimin e kapaciteteve të institucioneve gjyqësore, si dhe pavarësimin e tyre.
“Me firmosjen dhe zbatimin e Letrës, do të përforcohen kapacitet e institucioneve për luftë kundër krimit dhe korrupsionit në Maqedoni. Pikërisht për këtë arsye, dita e sotme është veçanërisht e rëndësisë për institucionet e gjyqësorit, sepse vazhdon bashkëpunimi ynë me Qeverinë e SHBA-ve në sferën e jurisprudencës”- theksoi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, tha se sundimi i së drejtës është interes i rëndësisë së lartë për Maqedoninë dhe qytetarët e saj dhe se MPB-ja do të vazhdojë me luftën e pakompromis kundrejt krimit dhe korrupsionit. (Afrim Tanallari, TVM2)
