Maqedoni
Kuvend, nis debati për lojrat e fatit
13.06.2019 18:01
Mbyllje e tërësishme e kazinove sipas shembullit të Kosovës dhe Shqipërisë...

Mbyllje e tërësishme e kazinove sipas shembullit të Kosovës dhe Shqipërisë apo dislokim i tyre të paktën 3 kilometra nga vendbanimi më i afërt dhe 5% e fitimit të firmave të lojërave të fatit të jepet për projekte kundër bixhozit është kërkesa e Lëvizjes Anti-bixhoz që e shpalosi në seancën e komisionit parlamentar të financave ku ka nisur debati publik për propozim ligjin për lojërat e fatit.
Këtë dukuri nuk duhet ta arsyetojmë për interesa financiare,individuale apo grupore tha kryetari i kësaj lëvizje Xhemal Abdiu.
"Realisht problemi ekziston dhe i njëjti duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale dhe me marrëveshje. Ne si Lëvizje Anti-Bixhoz u rigrupuam njëzëri për të gjetur një zgjidhje adekuate dhe të pranueshme. Si pasojë e shtimit të kësaj dukurie u detyruam që ta ngremë zërin tonë për të mbrojtur rininë tonë, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi, nga mortaja BIXHOZ", tha Xhemal Abdiu, kryetar i lëvizjes Anti-bixhoz.
Deputeti Rexhail Ismaili, theksoi se nevoja për trajtimin e kësaj dukuria është imponuar nga problemet e përditshme ndërkaq thelbi i debatit përqëndrohet në largësinë e kazinove nga çdo Institucion arsimor.
"Nevoja për rregullimin plotësues të kësaj materie u imponua nga problemet e përditshme me të cilët ballafaqohen qytetarët, komunat dhe vet shteti. Distanca apo parregullsia se në cilën hapësirë duhet të vendoset lokalet afariste për organizimin e lojërave të fatit është zbrazëtirë e madhe dhe të njëjtat shpesh kanë vend afër çerdheve, shkollave dhe shumë institucione të tjera", tha Rexhail Ismaili, deputet i BDI-së.
E shoqatat që kundërshtojnë mbylljen e lojërave të fatit, thanë se ky veprim do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe do të linte pa punë rreth 20 mijë persona.
"Apelojmë, mos na gjykoni, mos na ndëshkoni pa baza, sepse pagat tona ndikojnë rreth 25 mijë njerëz në Maqedoninë e Veriut gjë që është një numër serioz dhe këtë shteti duhet ta merr parasysh, ne po luftojmë për të mbrojtur vendet tona të punës", tha Altrim Shaqiri, nga shoqata e të punësuarve në objektet e lojërave të fatit.
Deputetët kanë propozuar që nga 30-50% të realizimit të përgjithshëm të mjeteve që sigurojnë kazinot, të dedikohen për sport rini dhe aktivitete të ndryshme.
NAIM RAMADANI
