Maqedoni

Fyerja ndaj Alioskit, Pajaziti: A mos duhet në ndajmë edhe lokalet?

14.06.2019 15:21

Vetëm dy javë pas skandalit ku tifozët e klubit Vardar fyen shqiptarët.....

Vetëm dy javë pas skandalit ku tifozët e klubit Vardar fyen shqiptarët, një ngjarje tjetër ku është shprehur nacionalizmi dhe gjuha e urrejtes ka ndodhur në Prilep. Viktimë  këtë here ka qenë futbollisti i përfaqësuess së Maqedonisë së Veriut, Ezgjan Alioski, i cili u dëbua nga restoranti La Strada në Prilep pasi foli në shqip me prindrit e tij. Ky rast sipas profesorit universitar Ali Pajaziti tregon për gjenetikën e urrejtjes që është mbjellur te një shtresë e populatës etnike maqedonase.
 
“Ky rast të përkujton ngjarjet tragjike në disa vende të botës, sikur që është rasti i Jugut të SHBA-ve dhe i ligjeve të Jim Crow, ku ka pasur pra lokale të veçanta për njerëzit me ngjyrë dhe të veçanta për të bardhët. Kjo është një tmerr social dhe krijon një deficizëm te popullata, por nga ana tjetër jetojmë me besimin se ky është vetëm një rast incidental dhe nuk është pjesë e një zinxhiri më të madh”, tha Ali Pajaziti, profesor universitar.
 
FFMV: “Urrejtja nuk luan në terrenin tonë”!
 
Rastin e ka dënuar ashpër edhe Federata e futbollit të Maqedonisë së Veriut, që u bëri thirrje  institucionet të reagojnë në mënyrën e duhur që ngjarje të këtilla të pahijshme të mos përsëriten. 
 
“Të gjithë reprezentuesit të cilët me krenari mbajnë fanellën e ekipit përfaqësues, janë ambasadorët tanë më të mëdhenj dhe meritojnë respekt maksimal! Duke gjykuar ashpër ngjarjen në Prilep, apelojmë se “Urrejtja nuk luan në terrenin tonë”! Ta largojmë atë edhe nga rrethi ynë!”- thonë nga FFMV.
 
Pronari  i restorantit “La Strada”, punëtorët e të cilit përzunë Alioskin sapo mësuan se ishte shqiptar,  tashmë është  marrë në bisedë informative në stacionin policor të Prilepit.
 
ERSAN PAJAZITI