Zëvendëskryeministri Besimi, për vizitë në Austri

05.09.2014 15:46

Integrimi i Maqedonisë dhe Ballkanit në Bashkimin Evropian, kanë qenë temë diskutimi mes zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Fatmir Besimit dhe ministrit për Punë të Jashtme dhe integrim të Austrisë, Sebastijan Kurz....

Austria përkrah proceset integruese të të gjithë rajonit dhe veçanërisht Maqedonisë, e cila duhet të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian dhe të vazhdojë reformat në të gjitha fushat. Rëndësi e veçantë i është dhënë edhe ruajtjes së marrëdhënieve ndëretnike në vend.

“Austria u shpreh mjaft e interesuar për marrëdhëniet ndëretnike brenda vendit, integrimin euroatlantik dhe gjithashtu dhe rëndësinë që sa më shpejt të zgjidhet çështja e hapur me fqinjët, çështja e emrit me Greqinë dhe marrëveshja me Bullgarinë, me qëllim që të mund të kalojmë në fazën e bisedimeve me BE-në dhe ata janë të gatshëm të ndihmojnë sipas mundësive që do të krijohen në këtë drejtim”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.

Në takimin mes Besimit dhe Kurz është diskutuar edhe për Konferencën e Berlinit, si dhe për iniciativën për organizimin e një konference gjatë këtij viti në Maqedoni, ku do të ftohen ministrat e rajonit dhe ministrat që ishin në Konferencën e Berlinit dhe komisarë nga BE, me qëllim që të behët një vazhdim dhe përgatitje për konferencën e ardhshme në Austri.

Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet bilaterale, përkrahjen në projekte të ndryshme, bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, investimeve etj. (Florije Kamberi, TVM2)