Shënohet 17 vjetori i vdekjes së Nënë Terezës
Në kryeqendrën e vendit, që është edhe qyteti i lindjes së Nënë Terezës, u shënua sot 17 vjetori i vdekjes së nobelistes shqiptare....

Ministra, deputet dhe funksionarë të lartë të BDI-së, përkujtuan veprën e humanistes shqiptare, duke vendosur lule te pllaka e shtëpisë së lindjes së nobelistes shqiptare, ku vazhdon të mungojë mbishkrimi në gjuhën shqipe.
Por, deputeti i BDI-së, njëherit edhe nënkryetar i Kuvendit, Rafiz Haliti, thotë se pavarësisht tendencave për të fshehur përkatësinë shqiptare të Nënë Terezës, e gjithë bota e di se cilit komunitet i përket Gonxhe Bojaxhiu.
“Pavarësisht pllakave, Nënë Tereza vetë është prononcuar se cilit komunitet i takon, kështu që botërisht dihet se ajo është shqiptare. Por, mbi të gjitha ka qenë nënë e fëmijëve të të gjithë botës, nënë e të gjithë skamnorëve në botë dhe për ne është një nder i madh që të vendosim lule dhe ta përkujtojmë. Sa u përket pllakave, gjithsesi se me kohë realiteti është realitet dhe pllaka duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe”- deklaroi nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti.
17 vjetori i vdekjes së Nënë Terezës u shënua edhe në Prishtinë, me ç’rast u mbajt një meshë në katedralen që mban emrin e saj. (Sanije Kasami, TVM2)
