Maqedoni

Fillon regjistrimi në shkollat e mesme, rreth 35.700 vende të lira për semimaturantët

17.06.2019 11:01

Filloi regjistrimi në shkollat e mesme në mbarë vendin....

Në dy ditë, semimaturantët do mund të regjistrohen  në afatin e parë të qershorit. Në të gjitha shkollat e mesme ka vende për 35.690 semimaturantë, prej të cilave 24.581 për mësim në gjuhën maqedonase, 10.123 në gjuhën shqipe, 952 në gjuhën turke dhe 34 në gjuhën serbe. Për arsim profesional katervjecar ka 18.365 vende të lira, për arsim profesional trevjeçar ka 5.490 vende, ndërsa për arsim profesional dyvjeçar ka 408 vende të lira. Në gjimnaze ka 10.713 vende të lira. E pikërisht në gjimnazet në Shkup vërehej fluks i shtuar i nxënësve që duan të regjistrohen në vitin e parë. 
 
"Kam vendosur vetë që të regjistrohem këtu, por gjithashtu kam pasur përkrahjen e prindërve . Shpresoj se do të pranohem"...
 
"Kam zgjedhur këtu sepse mendoj që është më mirë për mua"...
 
"Më është dukur më mirë  por  edhe këtu kam shokët edhe shoqet"....
 
"Unë kam zgjedhur gjimnazin e përgjithshëm që të vazhdoj shkollimin. Shpresoj se do të pranohem", thanë nxënësit.
 
Në gjinazin Zef Lush Marku, ofrohen 6 drejtime. Kjo ndoshta është edhe arsyeja pse ky gjimnaz vazhdon të jetë në mesin e shkollave të mesme të preferuara , për nxënësit shqiptarë të Shkupit
 
"Matematiko-natyror kombinimi A dhe B, gjysmë artistik kombinimi A dhe B, dhe shoqëror A dhe B. Këtë vit nxënësit janë më shumë të interesuar për kombinimin A- shoqëror. Krahasur me vitin e kaluar këtë vit interesimi është më i madh", tha Farkuk Zeqri, drejtori i gjimnazit “Zef Lush Marku”.
 
Gjithsesi edhe përkundër dëshirës për gjimnazet e përgjithshme, ju përkujtojmë edhe një herë se  shkollat e mesme profesionale ofrojnë shumë drejtime atraktive madje ofrojnë edhe  më shumë mundësi punësimi pas përfundimit të shkollimit.
 
Dokumentacioni i nevojshëm për t’u regjistruar janë dëftesat nga klasa e 6 deri në të nëntën dhe vërtetimi për marrjen e vaksinave, pikët nga suksesi variojnë sipas shkollave të ndryshme. Rezultatet e regjistrimit do të shpallen më 19 qershor. Afati i dytë për regjistrim është  më 24 dhe 25 qershor dhe i treti më 1 korrik. 
 
REJHANE BUSHI METAJ